Policia e Tiranës ka sekuestruar 1 kg kokainë, duke arrestuar dy persona me origjinë nga Durrësi, të cilët shpërndanin lëndën narkotike në zonën e “ish-bllokut”.
Policia e kryeqytetit ka prangosur dy persona, pasi shpërndanin lëndë narkotike e llojit kokainë në zonën e ish-bllokut.
Ky është momenti i arrestimit të Ermir Bajramaj, 37 vjeç, dhe Besim Hajdaraj, 47 vjeç, të dy banues në Durrës.
Baza ku mbahej droga ishte një banesë e marrë me qira, në rrugën “Kongresi Manastirit.
Jo pa qëllim operacioni i antidrogë i policisë ishte koduar “High Class”, pasi cilësia e lëndës narkotike ishte e cilësisë së lartë.
Në total u sekuestruan 1 kg e 52 gram kokainë dhe vlera e saj në treg shkonte deri në 100 mijë euro.
Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, shpërndarësit e drogës, lëviznin me një automjet të thjeshtë, tip “Nisan Micra”, me targa Durrësi.
Lënda narkotike u gjet e fshehur në sediljen e parë të automjetit, ndërsa po hetohen edhe disa persona të tjerë, si të dyshuar për trafik droge.
Njoftimi i plotë i Policisë
Arrestohen në flagrancë dy shtetas, që shpërndanin lëndën narkotike në zonën e “ish-bllokut”.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lëndëve narkotike dhe kryesisht për drogat e forta, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua me sukses një tjetër operacion antidrogë i koduar “High Class”.
Si rezultat i operacionit, në rrugën “Kongresi Manastirit”, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve:
- Ermir Bajramaj, 37 vjeç, banues në Durrës.
- Besim Hajdaraj, 47 vjeç, banues në Durrës.
Dy shtetasit e lartpërmendur qarkullonin me automjetin tip “Nissan micra” me targë DR 3425 F, që drejtohej nga shtetasi Ermir Bajramaj dhe janë kapur në flagrancë, ku gjatë kontrollit të automjetit u gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e dyshuar “Kokainë” e cila pas peshimit rezultoi 1 kg e 52. 8 gr.
Lënda narkotike ishte e destinuar të shitej në qytetin e Tiranës, në lokalet e natës, në zonën e ish-Bllokut.
Vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 283 e 25 e Kodit Penal. /abcnews.al