Christian Panucci është rikthyer të flasë për Shqipërinë. Trajneri italian u shkarkua marsin e vitit të kaluar nga posti i kombëtares, pas humbjes 0-2 kundër Turqisë në Shkodër. 15 ndeshje zgjati aventura e tij në stolin kuqezi (4F, 2B, 9H), teksa sulmon FSHF-së në prononcimin e dhënë për Corriere dello Sport.
“Jam i kënaqur me punën që bëra. Mora skuadrën që ishte në vendin e katërt në grupin kualikues dhe doli e treta. Kam bërë një punë skautimi të pabesueshme. Me Rejan tani dolën të katërtit në grup, siç i kisha thënë unë presidentit. Në Kombëtaren shqiptare edhe tani ka shumë lojtarë që afrova unë.
26 debutuan gjatë kohës time. I bindja, udhëtoja shumë për të folur me prindërit e tyre, por lojtarët nuk duan të vijnë në kombëtare, sepse nuk janë të lumtur me Federatën. Lideri? Futbollisti që ka dhënë më shumë është Taulant Xhaka, ka një vëlla që luan tek Arsenali, i cili ka zgjedhur kombëtaren zvicerane. Nuk e donin në Kombëtare se kishte sjellje pak profesionale, por e kam grumbulluar gjithmonë dhe kam folur si burrat me të. Nëse kisha një lider, ai ishte.
Më vjen keq kur lexoj se kanë rindërtuar grupin, atë e ndërtova unë. Kam marrë një skuadër që duhej të rindërtohej. Lojtarët nuk dëshironin të vinin. Shumë janë nga Kosova. Ata mund të zgjedhin të luajnë për Zvicrën dhe e kanë të vështirë të kenë ndjenjën e përkatësisë”, përfundon Panucci. /abcnews.al