“Doja të ikja nga kjo botë”, Agustin Torassa zbulon momentin e vështirë

schedule12:19 - 7 Prill, 2020

schedule 12:19 - 7 Prill, 2020

Agustin Torassa, sulmuesi i Tiranës, është një nga prurjet e shumta nga jashtë vendit në Superiore. Sigurisht bëhet fjalë për një lojtar cilësor, i cili në Europë kishte zbarkuar që në moshë të vogël, 18 vjeç. Gjithsesi qëndroi vetëm 6 muaj te RB Salzburg në Austri dhe u rikthye në Argjentinë. Në moshë të pjekur pranoi një propozim të Partizanit dhe më pas është aktivuar edhe me Flamurtarin. Këtë verë pranoi ofertën e Tiranës dhe po bën një sezon të mirë.

Veçse me topin, Torassa është mirë edhe me fjalët. Së fundmi ka dhënë një intervistë për “Balon Latino” dhe vlerësimet për vendin tonë janë të larta. Sulmuesi flet për kalimin te Partizani, periudhën e vështirë pas dështimit të marrëveshjes në Kinë. Jeta në kryeqytet, plazhet dhe gjithçka tjetër: Torassa nuk kursehet.

 

TRANSFERIMI NË AUSTRI – “Ato gjashtë muaj në Austri më kushtuan. Firmosa ën vitin 2007 për një vit me RB Salzburg, por gjuha ishte një pengesë për mua dhe e bëri të vështirë përshtatjen. U ktheva pas gjashtë muajsh në Argjentinë për të pushuar dhe e kuptova që nuk doja të shkoja më në Austri. Fola me një person nga klubi dhe i tregova situatën. Më pas firmosa përfundimin e kontratës përmes internetit. Kështu ndodhi, nuk isha i lumtur dhe më pas qëndrova në Argjentinë”.

KALIMI NË SUPERIORE – “Kalimi te Partizani ishte më i lehtë. Kur ika në Austri isha 18 vjeç, kurse kur pranova të luaj në  Shqipëri isha në një fazë tjetër të jetës dhe karrierës time, kisha më shumë përvojë. Nuk po them se ishte e lehtë, pasi sërish gjuha më pengonte në fillim. Në total kam tre vite këtu, me një vit ndërprerje në mes. Tani pothuajse e flas shqipen të gjithën”, shprehet Torassa.

 

Më tej ai flet edhe për kampionatin tonë: “Futbolli është rritur shumë në Shqipëri vitet e fundit, për mendimin tim. Tani ka më shumë të huaj se sa në vitin 2016, kur shkova atje për herë të parë. Futbolli është fizik, por loja është rritur tani. Kur afrohen të huaj, edhe cilësia rritet dhe kampionati bëhet edhe më konkurrues”.

JETA NË SHQIPËRI  – “Në Shqipëri ajo që do t’u kushtojë më shumë argjentinasve është çështja e gjuhës. Pastaj çdo gjë, jeta e përditshme, është njësoj si atje. Është një vend ku 80% e popullsisë është myslimane, falen dhe shkojnë në xhami. Gjithsesi është një vend ku ka bashkëjetesë fetare. Një favor është fakti që Shqipëria është afër me Italinë dhe e flasin shumë italishten, që është e ngjashme me spanjishten. Roma është vetëm një orë nga Tirana. Ka shumë italianë dhe duke e ditur gjuhën, mund të trajtoheni mirë këtu”.

 

“Nuk shoh dallime të mëdha mes jetës këtu dhe në Argjentinë. Sa i takon ushqimit, ushqimet e tyre tipike janë të pasura. Emrat nuk i them dot, vetëm nëse i shoh në letër (qesh). Ka shumë restorante italiane dhe ju mund të hani makarona, mish derri, ka restorante ndërkombëtare, por jo argjentinas. Mund të hash shumë mirë dhe nuk është shumë një vend i shtrenjtë. Ndonjëherë është më mirë të dalësh jashtë për të ngrënë, se sa ta blesh nga supermarketi dhe ta gatuash vetë diçka”.

BEFASIA – “Shqipëria është një vend ku unë ndihem mirë, më ka befasuar. Ju mund të lexoni gjëra në internet dhe nuk e dini se çfarë do ta hasni këtu, por e vërteta është se gjen një vend shumë të sigurt. Kam ecur kudo dhe asgjë nuk më ndodhur. Për të mos thënë pastaj se është më e sigurt se Argjentina. Njerëzit janë të pasionuar pas futbollit, por jo me atë çmendurinë totale që e përjeton futbollin Argjentina. Këtu mund të dilni të darkoni ose të pini diçka pas një humbjeje dhe madje ju kërkojnë edhe fotografi. Kjo nuk ndodh në Argjentinë”.

 

“Shqipëria është vend i bukur, plazhet i ka spektakolare. Nuk di të them nëse është vendi im në këtë botë, por mund t’ju them se më ka befasuar për mirë. Njerëzit më trajtojnë mirë dhe me shumë respekt. Nëse do të më jepet mundësia, do të rrija edhe më gjatë. Për të gjitha arsyet që ju thashë më parë, për mënyrën se si jetoj, për qetësinë, për respektin dhe për sa e bukur është. Ka borë, male dhe kur është nxehtë ka plazhe të bukura. Personalisht ndihem mirë dhe më pëlqen. Ajo çfarë preferoj në këtë moment në jetën time dhe në karrierë, është qetësia dhe siguria”.

MOMENTI I VËSHTIRË – “Pasi u riktheva në Argjentina, mora një ofertë dhe firmosa te Flamurtari. Në shkurt mora një ofertë nga Kina dhe e pranova. Fluturova drejt Koresë së Jugut, ku ekipi po bënte fazën përgatitore. Para se të kthehej në Kinë, doli lajmi se Yanbian Fundi kishte falimentuar. Atëherë m’u desh të fluturoj në Argjentinë. Arrita ta bind klubin të paguante biletën dhe për katër muaj isha i papunë. Në atë kohë doja të vdisja dhe mendoj për atë moment dhe them se ajo që ndodhi nuk ishte gjë, para kësaj që po përjetohet me këtë pandemi (qesh)”.

 

TIRANA DHE PËRFUNDIMI I KARRIERËS – “Me Tiranën jemi në vend të parë, të shkëputur me 9 pikë nga vendi i dytë. Kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur. Sa i takon stërvitjes, kemi një grup në WhatsApp, ku përgatitësi atletik na dërgon programin personal për çdo ditë. Në atë program është edhe pjesa aerobike, që e bën kush dëshiron, pasi duhet të qëndrojmë në shtëpi. Këtë javë nuk e bëra, jo sepse nuk doja, por sepse kam frike ta sjell virusin në shtëpi time, ku jetoj me gruan dhe vajzën.

Bëra vetëm ushtrimet e forcës, që të mos rrezikoj ndonjë dëmtim. Preferova të mos shkoj askund. Mbyllja e karrierës në Argjentinë? Nuk e mendoj për momentin mbylljen e karrierës. Këtë ua them sinqerisht. Të them të vërtetën, nuk është se po vdes ta mbyll në futbollin argjentinas, edhe pse ndonjëherë e mendoj që do ishte bukur ta mbyllja pranë familjes dhe miqve të afërt. Është diçka që nuk më lë pa gjumë, por do të ishte mirë”, përfundon Torassa. /abcnews.al