Kishin ditë që bisedonin dhe më në fund dhanë drejtim. Kombëtarja shqiptare e mësoi edhe emrin e rivalit tjetër në miqësoret e muajit qershor, dhe ky do të jetë Izraeli.
Federata Shqiptare e Futbollit informon se akordi me Federatën izraelite është që ndeshja do të luhet në 3 qershor në “Arenën Air Albania” në Tiranë, me nisje në orën 20:00.
Pak ditë më parë ishte lajmëruar se ndeshja përgatitore e 6 qershorit do të luhej kundër Luksemburgut, gjithashtu në kryeqytetin e Shqipërisë, në të njëjtën orë, pra në 20:00.
Shqipëria dhe Izraeli janë ndeshur gjashtë herë mes tyre më parë, nga viti 2016 deri në 2022.
Kjo do të jetë miqësorja e parë, pasi të gjitha përballjet e tjera kanë qenë zyrtare, për eliminatoret e Kupës së Botës dhe për Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë numërojnë vetëm dy fitore në 6 duele, 3-0 në Izrael me De Biazin në 2017 dhe 1-0 në “Elbasan Arenë” në 2018.
Humbjet I kemi dy herë në shtëpi, dhe dy herë në fushë kundërshtare.
Shqipëria mbylli eliminatoret e Kupës së Botës, duke arritur për herë të parë në plej of, veçse u mund 2-1 në Varshavë nga Polonia.
Ekipi përfaqësues do t’i luajë këto miqësore si përgatitje për Ligën e Kombeve që nis në shtator, duke pasur në grup Austrinë, Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon.
Mbetet të shihet se cili trajner do të ulet në stolin kuqezi, pra nëse dotë vazhdojë Silvinjo, apo kombëtarja do të ketë teknik tjetër, diçka që pritet të vendoset gjatë muajit maj.


