Futbollit italian mund t’i rikthehet një nga emrat më të mëdhenj të Serisë A. Milani duket në rrugën e duhur pas fitores 2-0 në fushën e Romës, ndërsa meritën më të madhe e ka trajneri Gatuzo.
Objektivi i madh është ende larg, por ndryshimi ndihet.
Milani mund të quhet sot skuadra e Xhenaro Gatuzos, dhe fitorja në fushën e Romës ishte dëshmia më e qartë sesi ish-luftëtari i mesfushës është kthyer në një trajner të rëndësishëm.
Një pjesë e dytë e nivelit më të lartë në stadiumin “Olimpiko” i dha milanezëve suksesin 2-0 dhe besimin se mund të maten me më të mirët e Serisë A.
Edhe pse zona Champions mbetet 7 pikë larg, sërish optimizmi është I plotë se mund të arrihet, një mision që duhet të vazhdojë që javën e ardhshme në derbin ndaj Interit.
Një kampion i madh si lojtar, por ende i ri si trajner, Gatuzo bën një paralajmërim.
Gatuzo: “Dua të shijoj këtë moment, por ka një shqetësim edhe më të madh që nuk duhet ta harrojmë. Nuk duhet të harrojmë figurën e keqe që kemi bërë disa herë, siç ndodhi ndaj Beneventos apo Veronës. Kjo skuadër mund të kishte tani shumë më tepër pikë. Të mos harrojmë sakrificat që kemi bërë për të arritur deri këtu, fjalët që janë thënë për ne. Nëse do t’i kemi parasysh të gjitha këto, do të bëhemi më të fortë”.
E vërtetë që Milani nuk I ka kampionët me emër të madh të Juventusit apo Napolit, nuk ka Higuain, Dibala, Bufon e Kielini, apo Hamshik, Insinje, Mertens apo Kajehon.
Sidoqoftë, Gatuzo po mbështetet tek disa talente të rinj të Akademisë, siç ishin dy autorët e golave.
Patrik Kutrone është 20 vjeç, dhe në klub ndodhet që kur ishte 8 vjeç.
Davide Kalabria është 21 vjeç, në klub që në moshën 9-vjeçare.
Po ashtu, në skuadër është Manuel Lokateli, gjithashtu I Akademisë, ndërsa I tillë mund të quhet edhe portieri Donaruma, që erdhi nga Napoli kur ishte 14 vjeç.
Kutrone po krahasohet tani me Pipo Inzagin.
Kutrone: “Ne mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Donim të fitonim ndaj Romës, në një përballje shumë të vështirë, dhe ia arritëm qëllimit. Merita ishte e gjithë skuadrës dhe e lojës së bukur që zhvilluam. Sa për veten time, është shpejt të krahasohem me një kampion si Inzagi. Unë mendoj thjesht që të jap maksimumin, të punoj fort, ndërsa janë edhe shokët që më ndihmojnë për të shënuar. Gjithsesi, nuk kemi arritur ende asgjë, siç na thotë trajneri ynë”.
Pavarësisht suksesit sportiv, këto kohë ka pasur lajme negative lidhur me pronarët e klubit, dhe me financat e tyre.
Presidenti nga Kina, Li Jon Hon, e quan për detyrë të bëjë një sqarim.
Li Jon Hon: “Situata me asetet e mia është e qartë dhe e sigurt, ndaj klubi si dhe kompanitë e mia po punojnë siç duhet. Unë shpresoj që përqëndrimi të jetë për atë që duam të gjithë, për forcimin e skuadrës, që të arrijë nivelet më të larta. Ne jemi në mbështetje të plotë të trajnerit Rino Gatuzo. Do të bëjmë gjithçka që skuadra të jetë sërish në majë”.
Duke u kthyer tek skuadra, shumë meritë I jepet taktikave që ka përdorur Gatuzo.
Edhe pse e rreshton ekipin me skemën 4-3-3, më shumë ajo ndryshon në 3-4-3, duke hedhur përpara mbrojtësit e krahut, dhe duke tërhequr prapa mesfushorin para mbrojtjes.
Kjo e ka bërë Milanin më sulmues.
Kuqezinjtë janë edhe në të tetat e finaleve të Ligës së Europës, ndërsa në mesjavë do të synojnë të arrijnë edhe finalen e Kupës së Italisë, me ndeshjen e dytë gjysmëfinale në fushën e Lacios.