Skema e subvencioneve, Rama dhe Peleshi me fermerë të Kutallisë

schedule16:12 - 25 Shkurt, 2018

schedule 16:12 - 25 Shkurt, 2018

Kryeministri Rama dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, biseduan me fermerët e Urës Vajgurore për skemat e reja të mbështetjes nga qeveria. Për të informuar për mënyrën e aplikimit për perfitimin e subvencioneve, studentë të Universitetit Bujqësor kanë dalë në terren në ndihmë të këtij procesi.

Pas dështimti në blegtori ky fermer nga Kutallia e Beratit ngriti këtë serë. Kryeministri, Edi Rama, e vizitoi për të biseduar rreth skemës së re financiare, që po aplikon qeveria për t’i mbështetur.

“Një serë deri në një hektar, me skemën mbështetëse që fillon tani përfiton deri në 13 milionë lekë të reja”.

Kutallia vlerësohet si një ndër zonat me potencial të madh për ndërtimin e serave të reja. Shefi i qeverisë ftoi fermerët të aplikojnë.

Edi Rama: “Tani dokumentacioni është zero, domethënë, është me vetëdeklarim dhe vetëm përfituesit pastaj skanohen nëse kanë bërë vetë deklarim të drejtë, apo nëse kanë abuzuar”.

Për t’i ndihmuar për mënyrën e aplikimit studentë të Universitetit Bujqësor kanë dalë në terren.
Pas fermës, kryeministri pa nga afër edhe një pikë grumbullimi nga ku i bëri thirrje fermerëve të bashkohen se vetëm kështu mund të përfitojnë më tepër.

Edi Rama: “Rruga e të nesërmes është e garantuar nëse ka vullnet për punë, nëse ka mençuri për të bashkuar forcat, jo për kooperativën e tipit të vjetër nga halli, por për kooperativën e tipit të ri nga interesi dhe sigurisht nëse ka mbështetje ashtu si duhet, por besoj që kjo e fundit që na takon ne, është garantuar me fondin e mbështetjes së këtij viti, plus me hyrjen për herë të parë me fondin e BE-së. Kështu që është një program që në tërësinë e vet shkon 100 milionë euro që ne mund ta përdorim të gjithin, nëse kemi këto që thashë”.

Nga Kutallia e Beratit, shefi i qeverise shkoi në fshatin Orizaj të Skarparit. Nga kjo thërtore paralajmëroi penalizime për ata që nuk respektojnë kushtet higjeno sanitare

Edi Rama: “Ne do të vazhdojmë penalizimet me mbyllje direket të aktivitetit për një periudhë kohe, që të ndihet qartësisht që ajo që fiton është shumë më e vogël se ajo që mund të humbasësh. Kjo është një nga kushtet themelore të procesit të integrimit. Siç e kanë dëshmuar dhe eksperiencat e vendeve të tjera, në momentin e hapjes së negociatave, çështja e sigurisë ushqimore dhe çështja e therjeve në radhë të parë, që ka qenë një problem i madh edhe për Bullgarinë, për Rumaninë, edhe për vende si ne, do jetë një problem shumë i madh, vendoset menjëherë në rendin e ditës. Konsiderohet absolutisht një fenomen i paperceptueshëm, jo më i tolerueshëm dhe është absolutisht e lidhur drejtpërdrejt me shëndetin e fëmijëve, me shëndetin e njerëzve”.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë theksoi se matrikullimi i kafshëve do të ndihmojë në dhënien fund të këtij fenomeni. Për të nxitur këtë, fermeri do të subvencionet direkt për çdo kafshë që regjistrojnë pas lindjes.

Niko Peleshi: “Tani çdo kafshë e lindur do të marrë një subvencion, pagesë direkte, 5 mijë lekë për të imtat dhe 20 mijë lekë për të trashat, çka do i bëjë fermerët t’i regjistrojnë kafshët. Në momentin që e regjistron është e thjeshtë edhe për ta ndjekur se ku shkon, si transportohet, ku theret e ku tregtohet”./abcnews.al