Ursula von der Leyen i kërkon ndjesë Italisë: “BE ka ndryshuar, tashmë pranë jush”

schedule15:07 - 2 Prill, 2020

schedule 15:07 - 2 Prill, 2020

Bashkimi Europian i kërkon falje Italisë, për mungesën e mbështetjes në përballimin e pandemisë koronavirus.

“Europa po mobilizohet përkrah Italisë, por duhet të pranohet se në ditët e para të krizës, përballë nevojës për një përgjigje të përbashkët, shumë vende kanë menduar vetëm për problemet e tyre në shtëpi”. Kështu shkruan presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një letër të hapur ndaj italianëve ku reflekton lidhur me ndërhyrjet e fundit.

“Ajo e kaluar, ishte një sjellje e dëmshme që mund të ishte shmangur, por tani Europa ka ndryshuar ritmin e saj, shkruan ajo”.

Në letrën e publikuar nga “La Repubblica”, Von Der Leyen nënvizon se Italia është goditur nga koronavirusi më shumë se çdo vend tjetër i bllokut.

“Jemi dëshmitarë të paimagjinueshmes. Mijëra njerëz janë përhumbur nga malli e të shtrenjtëve të tyre. Mjekët në lot në repartet e spitalit. Një vend i tërë  dhe pothuajse një kontinent i tërë – i mbyllur në karantinë”, ishin fjalët e shkruara nga presidentja e KE.

Për shefen e Komisionit të BE-së, Italia është shndërruar në burimin më të madh frymëzimi për të gjithë. “Mijëra italianë, personel mjekësor dhe vullnetarë, i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për të ndihmuar rajonet më të goditura”, shkruan Von Der Leyen ndërsa vlerëson kontributin e industrisë së modës që ndërpreu punën e zakonshme për të prodhuar maska mbrojtëse dhe dezinfektantë për duart.

“Koncertet në ballkone”, kanë frymëzuar lideren e BE-së, që shkruan se mbushën rrugët e boshatisura duke ngrohur zemrat e miliona personave. Von Der Leyen siguron se BE ka ndryshuar dhe se do të bëjë gjithçka që mundet për të garantuar sa më shpejt një përgjigje të koordinuar ndaj këtij problemi të përbashkët.

Gjithashtu ajo bën me dije se ka propozuar që të përdoret çdo cent i buxhetit të përvitshëm të Unionit Europian për të ndihmuar vendet anëtare në përballimin e kësaj krize./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!