Stuhi bore në Kukës dhe Peshkopi, temperaturat bien nën 0 gradë

schedule10:06 - 25 Shkurt, 2018

schedule 10:06 - 25 Shkurt, 2018

Ditët e ftohta sapo kanë nisur në të gjithë vendin. Në verilindje, temperaturat shkuan me minus katër grade dhe janë shoqëruar me reshje e stuhi dëbore. Në zonat e thella malore, rrugët janë pothuajse të bllokuara.

Moti i keq dhe stuhitë e dëborës kanë përfshirë verilindjen e vendit. Në orët e para, temperaturat zbritën në -4 gradë celsius. Nga Fushe Dukagjini deri në Reps, reshjet e dëborës të shoqëruara me erëra të forta penguan qarkullimin normal të mjeteve në Rrugën e Kombit. Në të dyja anët e tunelit po punojnë 8 mjete borëpastruese për normalizim e situatës.

Probleme ka edhe në akset e tjera rrugore që lidhin Kukësin me Peshkopinë, Hasin edhe Tropojën. Në disa zona të Bushtricës edhe Kalisit pati probleme edhe me energjinë elektrike.

Edhe në Dibër, bora po paraqet probleme. Njësitë administrative, Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Trebishtë dhe Ostren janë të bllokuara. Trashësia e borës aty ka arritur deri në 35 centimetra. Rruga nacionale Kukës- Peshkopi kalohet me vështirësi, e bllokuar është dhe ura e Sheranecit. Probleme janë shfaqur dhe në Bulqizë, e cila njihet si një ndër zonat më të ftohta të qarkut Dibër.

Edhe qyteti i Shkodrës u zgjua këtë të dielë me borë. Probleme në qarkullimin e mjeteve në qytet nuk ka patur, por në zonat malore ka intensitet më të lartë të reshjeve. Probleme paraqiten në akset rrugore malore si Bogë – Theth, Tamarë – Vermosh dhe aksin Iballë – Pukë. Rrugët e tjera të qarkut janë të hapura dhe qarkullohet pa problem.

Kurse në Përmet, prej një jav,e rruga Përmet – Tre Urat është e kalueshme vetëm për mjetet e vogla. Kjo rrugë lidh piken e kalimit kuftare të Tre Urave me zonën, por situata nuk ka ndryshuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!