Kreditë e këqija, misioni i vështirë i bankave greke

schedule09:04 - 25 Shkurt, 2018

schedule 09:04 - 25 Shkurt, 2018

Banka Qendrore Europiane i ka bërë thirrje bankave greke që të performojnë më shpejt për reduktimin e kredive të këqija, ndryshe rrezikojnë të ngadalësojnë më tej ripërtëritjen e brishtë të ekonomisë.

Bankat greke duhet të bëjnë më shumë për të reduktuar kuotën e lartë të kredive të këqija. Paralajmërimi është bërë nga kryeinspektorja e Bankës Qendrore Europiane, Daniele Nouy, në një intervistë për gazetën helene “To Vima”. Eleminimi i performancës së dobët dhe ristrukturimi i borxheve, kriteret për të cilat pritet të ashpërsohen, janë sfidat kryesore me të cilat përballet sektori bankar i vendit të rrënuar nga kriza ekonomike.

Nouy ka deklaruar se përballja në mënyrën e duhur me kreditë e këqija është një aspekt që duhet të trajtohet me prioritet. “Bankat greke duhet të bëjnë më shumë dhe më shpejt”, ka thënë zyrtarja e BQE. Ajo ka theksuar se kreditorët grekë i kanë kapacitetet për të përfituar, por ka nënvizuar se ato cënohen pikërisht nga kreditë e këqija. “Prandaj, prioriteti numër një për bankat greke është të reduktojnë në mënyrë drastike krijimin e kredive të këqija të reja, duke përmirësuar kriteret e huadhënies dhe duke pastruar bilancet e tyre”, ka thënë më tej Nouy.

Bankat helene kanë rënë dakord me kriteret e Bankës Qendrore Europiane për të reduktuar kreditë me probleme me rreth 40 për qind brenda vitit 2019. Shkurtimi i tyre do të çonte në çlirimin e më shumë kapitaleve për financimin e sektorëve të prodhimit, që po rimëkëmben me ngadalë./abcnews.al