Shënohet viktima e 12-të nga koronavirusi

schedule22:18 - 30 Mars, 2020

schedule 22:18 - 30 Mars, 2020

Mbrëmjen e së hënës ndërroi jetë një tjetër pacient i infektuar me Covid-19. Autoritetet e Shëndetësisë në njoftimin zyrtar bënë me dije se viktima është 82-vjeçarja me inicialet L. M. nga Tirana, e cila po trajtohej në spitalin infektiv ku nuk i mbijetoi infeksionit.

E moshuara kishte 5 ditë që ishte shtruar në pavijonin e infektivit, aty ku marrin ndihmë mjekësore të gjithë pacientët me koronavirus. Mjekët i thanë ABC News se gjendja e saj u rëndua së tepërmi që të dielën , ndërsa Ministria e shëndetësisë njoftoi se pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor, ajo nuk arriti të jetojë.

Përveç infeksionit nga koronavirus 82-vjeçarja vuante nga disa sëmundje të tjera: Astma Bronkiale, Hipertension, reumatisme. Vdekja e saj e çon në 12 numrin viktimave që nga shpërthimi i infeksionit më 9 mars.

Ndërkohë mëngjesin e së hënës ndërroi jetë një 79 vjeçar me inicialet B.H edhe ai nga Tirana e po ashtu ndodhej në spitalin Infektiv, ku po trajtohej prej 18 ditësh. Sipas raportit zyrtar në 24 orët e fundit janë regjistruar në total në 223 persona të prekur nga Covid.

Harta e infeksionit nga dita në ditë vjen në zgjerim ndërsa numri më i lartë është në Tiranë, Korçë, Fier, Shkodër, Tropojë. Janë 74 pacientë të cilët marrin trajtimin në spitalin Infektiv, nga ku 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe disa të intubuar.

Infeksioni ndërkohë është transmetuar nga pacientët të mjekët duke prekur deri tani 32 anëtarë të stafit që shërben në spitale, 8 prej të cilëve janë shëruar. 44 persona gjithashtu janë shëruar pasi kanë marrë trajtim mjekësor.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

“COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: Ndërron jetë 82-vjeçarja, viktima e 12 në Shqipëri

Ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv pacientja 82-vjeçare L. M., nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19. E moshuara po trajtohej prej 5 ditësh në spitalin infektiv, ndërsa në dy ditët e fundit gjendja e 82-vjeçares u rëndua së tepërmi dhe pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë.

82-vjeçarja që vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese: Astma Bronkiale, Hipertension, Podagra (sëmundje reumatismale) është viktima e 12 e COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19″./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!