Mozzone zbulon Shqipërinë: Jepet çdo ndeshje në TV, ka vetëm një problem

schedule15:21 - 24 Mars, 2020

schedule 15:21 - 24 Mars, 2020

Emiliano Mozzone zgjodhi Shqipërinë për të treguar vlerat e tij si futbollist në Europë. Sulmuesi nga Uruguai, iu bashkëngjit ballshiotëve në huazim dhe ka shënuar tre gola deri më tani. Ai ka dhënë një intervistë për “Balonlatino.net” dhe tregon se si u transferua në Superiore.

“Gjithçka ndodhi në ditën fundit të merkatos. Pashë se te Fenix nuk do të më merrnin në konsideratë dhe nuk doja të kalojë një gjysmë sezoni me pak hapësira. Luajta pak aty dhe nuk e kuptoj pse. Me siguri ka qenë një vendim teknik. Gjatë fazës përgatitore u paraqita mirë. Kur e kupton se nuk je i rëndësishëm për ekipin, më mirë të largohesh. Për këtë arsye u transferova në Shqipëri.

Qëllimi im i parë ishte të luaja, pra të kisha minuta. Ata gjithashtu më folën mirë për kampionatin e tyre. Të gjitha ndeshjet transmetohen në TV, ka ndeshje kupe në mesjavë dhe janë disa vende që të çojnë në kupat e Europës. Bëhet fjalë për një mundësi që të shikohesh më shumë nga vendet përreth Shqipërisë”, shprehet Mozzone, i cili flet edhe për diferencën e futbollit në Shqipëri dhe Uruguai.

“Futbolli kështu është shumë i ngjashëm me atë në Uruguai. Luhet me ritëm dhe ka shumë përplasje, duke bërë që të ketë më pak futboll. Ndryshimi qëndron në faktin se nuk ka aq shumë lojtarë të mirë në lojën një kundër një, të cilët janë të shpejtë dhe shënojnë gola. Shumica e skuadrave kanë një të huaj për të gjetur rrugën e rrjetës”.

“Infrastruktura? Edhe infrastruktura si në Uruguai është. Skuadrat e mëdha luajnë në “Air Albania”, ku unë nuk kam luajtur akoma. Ekipet e vogla kanë stadiume në gjende të mirë. Ne stërvitemi në një fushë sintetike”, shton sulmuesi i Bylisit në rrëfimin e tij. Më pas ai flet për klubin ku luan dhe për vështirësinë më të madhe që ka hasur në Shqipëri.

“Bylisi është një klub i vogël, në një qytet të vogël që e mbështesin skuadrën dhe në ndeshjet brenda ndjehet shumë atmosfera. Shumica e lojtarëve janë të rinj, kemi 4-5 lojtarë me përvojë. Aty janë edhe dy argjentinas dhe një brazilian. Jam bërë miq me ta dhe më kanë ndihmuar shumë që të përshtatem. Fillimisht e kisha të vështirë të përshtatesha me ushqimin.

Qëndrojmë në hotelin e klubit dhe aty jepen tre vakte. Mëngjesi shërbehet në 09:30 deri në 10, në 11:00 dreka dhe darka në 19:00. E kaloni tërë natën pa ngrënë. Kur kemi grumbullime për ndeshje mëngjesi jepet rreth orës 10:00 dhe ndeshjet luhen në 14:00. Kjo është pjesa e vështirë. Pjesa tjetër pastaj është si në Uruguai”, tregon Mozzone.

Sulmuesi uruguaian thekson se ndihet i rëndësishëm te Bylisi dhe flet edhe për masat e marra për të parandaluar COVID-19. “U ndjeva sërish lojtar, kam shënuar tre gola në shtatë ndeshje dhe po merrja minuta. Ndihem i rëndësishëm në ekip dhe mendoj se jam përshtatur mirë. Shpresoj që të vazhdoj kështu edhe pasi gjendja të normalizohet”.

“Coronavirusi? Masat e marra janë si kudo në botë. Nuk mund të lëvizni mes qyteteve, ka orare kur mund të shkosh në farmaci ose supermarket. Vetëm ato janë të hapura. Policia kalon nëpër rrugë dhe të çon në shtëpi nëse je jashtë. Gjithashtu dezinfektojnë edhe rrugët. Për fat të mirë ata kanë arritur të kontrollojnë gjithçka shpejt dhe është dashur ta zbatojnë karantinën me detyrim”.

Po me Bylisin, çfarë ka ndodhur? “Kemi ndaluar stërvitjen dhe lojtarët kanë shkuar pranë familjeve të tyre. Nuk e dimë akoma kur do të rikthehemi. Kampionati është ndalur, sikurse dihet”, shton Mozzone, i cili më pas tregon se ka folur me miqtë dhe familjarët e tij, të cilëve u përçon edhe një mesazh të rëndësishëm.

“Me miqtë e mi në Uruguai kam folur. Sigurisht edhe ne familjen. Flasim me video-thirrje çdo ditë dhe më shumë tani në këtë periudhe pandemie. Kam parë që në përgjithësi njerëzit në Uruguai nuk janë të vetëdijshëm. Duhet ta zbatojnë karantinën e detyrueshme për ta kontrolluar virusin. Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm nëse është e nevojshme. Është e vetmja mënyrë për ta ndalur këtë situatë”, përfundon Mozzone. /abcnews.al