Bajerni thuajse i kualifikuar në Champions pas fitores 5-0 me Beshiktashit

schedule13:09 - 21 Shkurt, 2018

schedule 13:09 - 21 Shkurt, 2018

Bajerni arriti praktikisht kualifikimin për në çerekfinale të Championsit, pas ndeshjes së parë ndaj Beshiktashit. Gjithsesi, skuadra turke ishte e pafat në Mynih duke luajtur pjesën më të madhe të ndeshjes në inferioritet numerik.

Përfundimi ishte ashtu siç pritej, madje shumë më i thellë.

Pas një fitoreje 5-0 nuk mund të vihen tjetër përveçse nota të shkëlqyera për Bajernin e trajnerit Jup Hajnkes, veçse, ky sukses i madh u arrit në kushte specifike.

Beshiktashi, kundërshtari i respektuar i bavarezëve, pagoi shtrenjtë një gabim në mbrojtje dhe mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 15-të.

Mbrojtësi kroat, Domagoj Vida, doli me karton të kuq pas ndërhyrjes së pashmangshme, si lojtar i fundit ndaj Levandovskit.

Pa përvojën e gjermanëve, pa yjet e tyre, dhe duke luajtur në inferioritet numerik thuajse gjithë ndeshjen në fushë kundërshtare, disfata e turqve ishte logjike.

Gjithsesi, stambollinjtë e trajnerit Senol Gynesh u mbajtën fort deri në fund të pjesës së parë.

Skuadra tuke madje luftoi shumë dhe pati mundësi të kalonte në avantazh, edhe pse me më pak lojtarë se kundërshtari.

Nuk ia doli dhe bavarezët thelluan epërsinë pas pushimit.

Përballë një kundërshtari që u lodh me kalimin e minutave për shkak të inferioritetit numerik në fushë, potenciali i Bajernit bëri të vetën.

Nuk mund të ndodhë ndryshe kur në fushë ishin Tomas Myler, autor i dy golave dhe i ringjallur me Hajnkesin, po ashtu Robert Levandovski, edhe ai dy herë shënues.

Bajerni mund të quhet praktikisht i kualifikuar për në çerekfinale, edhe pse do të luhet ndeshja e kthimit në Stamboll, ndërsa shqetësimi i vetëm i mbrëmjes ishte dëmtimi i Hames Rodrigezit, që nuk dihet sesa mund të mungojë./abcnews.al