PARIS SG OFRON 10000 MINUTA FUTBOLL FALAS PER TIFOZET E TIJ, QE JANE NGUJUAR NE SHTEPI NGA VIRUSI
PSG ka vendosur t’u bëjë një dhuratë tifozëve të izoluar nëpër shtëpi nga virusi. Klubi francez ofron 10000 minuta futboll falas, që mund të shihen nëpërmjet internetit.
Futbolli i luajtur për momentin është një kujtim. Tifozët e PSG patën mundësi ta shijonin madje nga afër, kur skuadra e tyre e zemrës luajti në stadiumin e saj ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Championsit ndaj Dortmundit, duke fituar 2-0.
Pas kësaj, gjithçka u ndërpre, parisienët janë këshilluar të izolohen në shtëpi, por klubi i tyre ka menduar t’u bëjë një dhuratë. Klubi deklaroi zyrtarisht se do të ndihmojë tifozët e tij të ngujuar për shkak të Koronavirusit dhe ndihma është një paketë ndeshjesh futbolli të skuadrës së zemrës, prej 10000 minutash, që mund të shihen pa pagesë.
Klubi ka krijuar një platformë “PSG TV”, të cilën tifozët mund ta ndjekin nga shtëpia nëpërmjet lidhjes së internetit. Kjo paketë përfshin ndeshje të këtij sezoni, dhe të atij paraardhës, diçka që padyshim ndihmon publikun e interesuar që të “vrasë” sa më mirë kohën, ndërsa mbetet i mbyllur në shtëpi.
Po ashtu, PSG ofron çdo mbrëmje në orën 21:00, që të shikohen “shfaqje” (ëatch party) në Facebook dhe të ndajnë virtualisht “pasionin kuq e blu”. Nuk është gjë e vogël në një periudhë kur edhe një këshillë jepet me para.
Në botën e biznesit, ku siç thotë një filozof, “edhe dashuria, urrejtja, krenaria apo dhembshuria shiten e blihen”, gjesti i PSG për tifozët e vet mund të vlerësohet. Shpresa edhe në Francë është që gjithçka të përfundojë shpejt dhe tifozët të dalin nga shtëpitë e të shkojnë në stadium./abcnews.al