Partizani më pak mungesa kundër Skënderbeut

schedule15:08 - 20 Shkurt, 2018

schedule 15:08 - 20 Shkurt, 2018

Partizani do të ketë një ndeshje shumë të vështirë të premten në Superligë, atë në fushën e Skënderbeut. Gjithsesi, kryeqytetasit besojnë se shumë lojtarë që munguan ndaj Kukësit, do të kthehen në ekip.
Ndaj Kukësit u kuptua çdo të thonë kaq shumë mungesa.
Partizani, sidoqoftë, ka shpresa me bazë se në sfidën edhe më të vështirë, atë të radhës ndaj Skënderbeut, do të jetë më i plotë.
E qartë që mbrojtësi serb, Kulum, nuk do të jetë në Korçë këtë të premte, pas përjashtimit me karton të kuq ndaj Kukësit, por gjasat janë të mira që disa të tjerë të kthehen.
Kapiteni Batha dhe mesfushori Trashi, të dënuar me dy ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës, e kanë shlyer tashmë gjysmën e ndëshkimit, dhe rregullorja pranon që pjesa tjetër të shlyhet me gjobë.
Pak mendohet që klubi të kursejë paratë dhe të mos ketë dy prej lojtarëve kryesorë të formacionit.
Rikthim do të ketë edhe për Prognin, i cili ishte i pezulluar ndaj kuksianëve për plotësimin e kartonëve të verdhë.
Pritet të shihet gjendja e të dëmtuarve Telushi e Kalari, por ekziston shpresa se ata do të jenë gati deri të premten në orën 18:00, kur do të luhet në Korçë.
Gjithsesi, e sigurt është që trajneri Starova nuk do të jetë sërish në stol.
Dënimi i tij është prej 8 ndeshjesh pezullim, por klubi nuk do të paguajë që ai të kthehet.
Drejtori sportiv, Olsi Rama, sqaron se kjo bëhet për sjelljen e trajnerit në Vlorë, e cila cilësohet si e patolerueshme.
Partizani pritet të ketë një ndeshje shumë të vështirë në Korçë, ku fazën e parë humbi 0-2 ndaj Skënderbeut me ish-trajnerin Iuliano./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!