Duke filluar nga dita e premte, të gjitha urgjencat kirurgjikale do të kryhen tek Spitali Universitar i Traumës. Lajmi është bërë me dije nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu përmes një konference për shtyp.
“Shërbimi i kirurgjisë së urgjencës të transferohet te Truama duke filluar nga dita e premte. Transporti i çdo urgjence do të kryhet nga urgjenca kombëtare nëpërmjet 127”, tha ministrja mes të tjerash.
Më tej Manastirliu u bëri edhe njëherë thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat e vendosura.
“Jemi vetëm në fillim të luftës dhe nuk duhet të ulim vigjilencën. Zbatoni rregullat, kjo betejë do të vazhdojë edhe për ne siç po vazhdon në të gjithë botën. Të ruajmë të moshuarit, të qendrojmë në shtëpi, dhe të kujdesemi për ta dhe për veten’, tha ajo.
Vendimi ka ardhur pasi Task Forca ka vendosur që urgjencat kirurgjikale tek QSUT t’i vendosë në shërbim të të sëmurëve nga koronavirusi.
Në një intervistë dhënë gazetarit Endri Xhafo dy ditë më parë, Arben Gjata, Koordinator i Task Forcës për Burimet Njerëzore tha se janë parashikuar katër spitale që do të vendosen në dispozicion për të sëmurët nga koronavirusi.
I pari është Infektivi, i dyti spitali Shefqet Ndroqi, i treti, sallat e Kirurgjisë tek Urgjenca e QSUT dhe nëse ezaurohen këto, do të përdoret insfrastruktura e Spitaliut Amerikan.
/abcnews.al