Një ministër i qeverisë së Beogradit ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të shpallet person i padëshirueshëm në Serbi pas deklaratës në kuvendin e Kosovës. Sipas Nenad Popoviç, shefi i qeverisë së Tiranës ka shprehur qartë një tendencë për krijimin e Shqipërisë së Madhe.
Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Parlamentin e Kosovës se Shqipëria e Kosova duhet të kenë një politikë të përbashkët të jashtme dhe mbase edhe një president mbarëkombëtar, ka nervozuar disa politikanë në Serbi. Një ndër ta është edhe kryetari i Partisë Kombëtare Serbe dhe njëkohësisht ministër pa portofol në qeverinë e Beogradit, Nenad Popoviç.
Ai ka pohuar se deklarata e Ramës vepron kundër paqes në rajon dhe përfaqëson një akt armiqësie ndaj Serbisë dhe popullit serb. Prandaj, sipas Popoviç-it, kryeministri shqiptar duhet të shpallet “person non grata”, apo person i padëshirueshëm në Serbi.
“Deklarata e Kryeministrit shqiptar Edi Rama se Shqipëria dhe shteti i rremë i Kosovës do të kenë një politikë të jashtme të përbashkët dhe president, është e drejtuar kundër paqes në rajon dhe përfaqëson një akt armiqësor ndaj Serbisë” – thekson ministri.
Ai shton se kjo është një tendencë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, prandaj Rama duhet të shpallet i padëshirueshëm, kurse ambasadorit shqiptar në shtetin serb duhet t’i dërgohet një notë proteste./abcnews.al