60 ditë kohë i ka lënë Gjykata e Fierit SHBA-së për të paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e hakerit, Aldo Ymeraj. Pas këtij afati, ai do të lihet i lirë pasi policia shqiptare nuk ka nisur asnjë hetim ndaj tij në lidhje me akuzat për krime kibernetike.
25-vjeçari Aldo Ymeraj i njohur për shkak të akuzave per krime kibernetike nga FBI do të qëndrojë në burg për 60 ditë.
Pas këtij afati, hakeri Ymeraj ose do të ekstradohet drejt SHBA ose do të dalë i lirë. Procedura penale dhe praktika gjyqësore në rastet e dhënies së masës së arrestit me burg për efekt ekstradimi është e kufizuar brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni. Në rastin e 25-vjeçarit, Gjykata vendosi afatin 60 ditor.
Kjo do të thotë se nëse dokumentacioni nga SHBA për ekstradimin e Ymerajt nuk është gati pas 2 muajsh atëherë ky i fundit do të lirohet. Precedentë të tillë në Fier nuk mungojnë, ku më i famshmi është rasti Kajolli. Policia shqiptare nuk ka filluar ndërkohë asnjë hetim të pavarur për hakerin nga Fieri.
Ai u arrestua bazuar vetëm në të dhënat dhe akuzat e FBI-së. Prokuroria dhe Policia e Fierit nuk japin detaje në lidhje me dokumentacionin që FBI ka dërguar deri tani për Ymerajn. I riu nga Fieri u arrestua për llogari të një hetimi që FBI ka ngritur për 36 persona në të gjithë botën. Këta akuzohen se vidhnin miliona dollarë para nëpërmjet internetit duke hyre në të të dhëna personale dhe institucionale./abcnews.al