Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë me dije se deri në datën 3 Prill ka anuluar intervistat e paracaktuara për viza Jo-Emigruese.
Një vendim i tillë është marrë në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit. Po ashtu selia diplomatike thekson se ka vendosur të shtyjë ose anulojë të gjitha aktivitetet dhe mbledhjet e ardhshme publike deri në 3 Prill.
“Në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë së Shqipërisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19 duke kufizuar grumbullimet publike dhe praktikimin e largësisë midis personave, Ambasada e SHBA ka anuluar të gjitha intervistat e paracaktuara për Viza Jo-Emigruese deri më 3 prill, 2020. Gjatë kësaj kohe, Ambasada do të procesojë vetëm takimet urgjente për Viza Jo-Emigruese. Procesimi i Vizave Imigruese dhe shërbimet për qytetarët amerikanë do të vazhdojnë pa ndërprerje. Në përputhje me përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për të zvogëluar përhapjen e COVID-19, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka vendosur të shtyjë ose anulojë të gjitha aktivitetet dhe mbledhjet e ardhshme publike deri në 3 Prill 2020”, thuhet në njoftimin e ambasadës. /abcnews.al