Ky sezon nisi shumë keq për Emre Can. Juventusi vendosi t’i besojë pankinën Maurizio Sarrit verën e kaluar dhe trajneri i ri e përjashtoi gjermanin nga lista e Champions League. Edhe hapësirat në kampionat ishin të pakta dhe në janar erdhi ndarja. Mesfushori zgjodhi Borussia Dortmund për të vazhduar karrierën. 26-vjeçari është kthyer në formë dhe zbulon prapaskenën e përjashtimit nga Champions League në një prononcim për Kicker.
“Arsyeja kryesore pse u largova nga Juventusi ishte se doja të luaja sërish futboll. Sigurisht që ka ndikuar edhe mundësia për të marrë pjesë në Europian, dua të jem pjesë e Gjermanisë në këtë kompeticion. Sarri erdhi te Juventusi në verë, por në fillim nuk u stërvitëm nga ai. Kishte probleme shëndetësore dhe mungoi disa javë.
Më pas, pasi klubi kishte refuzuar oferat që kishin ardhur për mua dhe më nxori jashtë merkatos, Sarri më njoftoi me një telefonatë prej 20 sekondash që nuk do të isha pjesë e listës së Champions League. Pas asaj telefonate, m’u mohua çdo shans. Mendova se m’u bë një padrejtësi dhe vendosa të largohem në janar. Ky vendim i Sarrit nuk ka fare lidhje me drejtuesit e klubit, as me tifozët. Juventusi është një klub madhështor“, përfundon Emre Can. /abcnews.al