KUKËS– Osman Shehu nuk i beson rastësisë. Përpara se të ngjitet në skenë, provon, përgatitet dhe i rikthehet edhe një herë këngëve që e kanë shoqëruar për dekada. I njohur në të gjitha trevat shqiptare si solist dhe si pjesë e grupit muzikor “Fontana” në Kosovë, këtë herë Osmani vjen për të performuar në Kukës, një qytet me të cilin e lidhin jo vetëm muzika, por edhe kujtime të hershme.
Hera e parë që shkeli në Shqipëri ishte në vitin 1991. Një kujtim që edhe sot e sjell me emocion, ndërsa rikthehet te koncertet e atyre viteve. Me kitarën dhe këngën është lidhur 5 dekada më parë, në atë kohë kur ish jugosllavia gëlonte nga këngët e huaja. Për Osmanin, muzika nuk ishte thjesht një pasion, por shumë shpejt u kthye në mënyrën e tij për të shprehur atë që mendonte dhe ndiente.
Këngët e tij nisën të bëheshin të njohura jo vetëm për melodinë, por edhe për mesazhet që përcillnin. Pikërisht kjo i solli përballjen me regjimin shovinist jugosllav. Osmani u dënua, u burgos dhe iu hoq e drejta për të kënduar.
Vite më pas, këngët që dikur i sollën ndëshkimin e regjimit do ta rikthenin sërish në skenë. Dhe Kukësi, për të, mbetet një prej vendeve më të veçanta. Këtu, thotë ai, këngët e tij i dinte thuajse një brez i tërë të rinjsh, por jo vetëm.
Në Kukës ka kënduar edhe në vitin 2001. Një tjetër kujtim që e lidh me këtë qytet dhe që sot merr një tjetër kuptim, për shkak të origjinës së tij.
Dikur nuk e mendonte se do të vinte dita që këngët e tij do të dëgjoheshin edhe në Shqipëri. Sot, jo vetëm që këndon në skenat shqiptare, por dëgjon edhe të tjerë që interpretojnë këngët e tij. Dhe emocionet janë të forta, sidomos kur një këngë e shkruar prej tij merr jetë sërish, këtë herë në zërin e dikujt tjetër.
Por festivali nuk është vetëm rikthimi i emrave që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare. “Bashk n’Kukës Fest” nis me artistët e rinj vendas, që sjellin në skenë energjinë dhe talentin e qytetit.
Elnor Elezi, interpretues dhe instrumentist nga Kukësi, performon disa prej këngëve më të njohura të muzikës shqiptare dhe asaj botërore. Për të, të qenit pjesë e këtij eventi është një mundësi për të ndarë pasionin për muzikën me publikun e qytetit të tij.
Elnori e sheh këtë festival edhe si një hap të rëndësishëm për promovimin e artit dhe artistëve të rinj kuksianë.
Mes instrumenteve dhe zërave të rinj janë edhe Alba dhe Klea, dy prej kitaristeve më të reja të grupit. Të vogla në moshë, por me një siguri që bie në sy në skenë, ato sjellin emocion jo vetëm përmes kitarës, por edhe përmes këngës.
Një tjetër moment që mori duartrokitjet e publikut ishte interpretimi i Ylli dhe Enea Selmanit, babë e bir. Një performancë që solli në skenë jo vetëm muzikën, por edhe një lidhje të veçantë mes dy brezave.
Mes spektatorëve ishte edhe Arben Vata, gazetar dhe njohës i artit, muzikës dhe zhvillimeve kulturore. Për të, ky festival është një tjetër mundësi për ta mbajtur gjallë skenën artistike të qytetit. Ndërsa në skenë vijojnë këngët, publiku bëhet pjesë e tyre. Duartrokasin, këndojnë dhe shijojnë një mbrëmje ku muzika bashkon artistë të brezave të ndryshëm.
“Bashk n’Kukës Fest” synon të kthehet në një takim të përvitshëm me muzikën dhe artistët. Organizatorja e festivalit thotë se kjo është vetëm nisja dhe se eventi do të rikthehet edhe në vitet e ardhshme.
Një natë ku këngët e vjetra u rikthyen në skenë, artistët e rinj treguan talentin e tyre dhe Kukësi dëshmoi edhe një herë se muzika nuk njeh moshë, kohë apo kufij.

