Haradinaj mbështet Thaçin për demarkacionin/Mali i zi uron Kosovën për vizat

schedule15:21 - 16 Shkurt, 2018

schedule 15:21 - 16 Shkurt, 2018

Qeveria e Kosovës ka përkrahur presidentin Thaçi për marrëveshjen lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa qeveria e Podgoricës ka uruar qytetarët e Kosovës për Liberalizimin e Vizave. Kurse opozita kundërshton marrëveshjen.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook ka mirëpritur deklaratën e përbashkët mes presidentit të Kosovës Thaçi dhe atij të Malit të Zi Vujanoviç për marrëveshjen e demarkacionit mes dy vendeve. Haradinaj shkruan se është i lumtur për arritjen e aneks-marrëveshjes për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij me këtë deklaratë është arritur që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit të rishikohen dhe korrektohen. “Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë,”- përfundon Haradinaj statusin e tij.

Ndërsa nga ana tjetër, qeveria e Malit të Zi ka pasur një urim të veçantë për qytetarët e Kosovës. “Përgëzojmë miqtë tanë, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Kadri Veselin si dhe qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave. Ne kemi bërë punë të shkëlqyer në interes të qytetarëve të vendeve tona”, shkruhet në një mesazh në tuitër nga Qeveria e Malit të Zi. Pavarësisht optimizmit nga shumica, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë kundër marrëveshjes.

Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje: “Kjo marrëveshje për LVV është e padrejtë dhe mashtruese”.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes NISMA, Fatmir Limaj, kërkon që marrëveshja e demarkacionin me Malin e Zi të dalë sa më shpejt për votim në Kuvend, në mënyrë që kjo çështje të mbyllet./abcnews.al