“Është momenti që të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojnë anulimin e të gjitha grumbullimeve masive deri në datën 3 prill për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi”. Këto janë fjalët e kryeministrit Edi Rama, i cili sot ka mbledhur qeverinë, pas zbulimit të dy rasteve të para me Coronavirus në Shqipëri.
Nga ajo që u tha, edhe futbolli dhe sportet e tjera në vend, me shumë mundësi do të luhen pa praninë e publikut, deri më 3 prill. Një vendim i ngjashëm me atë që ka marrë qeveria italiane. Kështu, FSHF me shumë mundësi do të marrë sugjerimin që takimet e Superiores dhe të të gjitha kategorive të luhen të paktën pa tifozë. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, por plani i qeverisë është që të ndalohen grumbullimet e njerëzve, çka ndodh shpesh në stadiumet dhe pallatet e sportit.
DEKLARATA E RAMËS – “Siç është bërë e ditur nga ministria e Shëndetësisë, laboratori ka konfirmuar dy raste me COVID-19. Bëhet fjalë për një rast të importuar nga Firence. Një i ri 28-vjeçar që ka udhëtuar me automjetin e tij dhe ka hyrë nga Hani i Hotit, duke infektuar edhe babanë. Strukturat shëndetësore po trajtojnë të dy të prekurit.
Ministrja e Shëndetësisë do të informojë më tek lidhur me masat e marra. Ajo që ka një rëndësi themelore në përballjen me këtë situatë është këshilla bazë e OBSH-së: domosdoshmëria për të ruajtur qetësinë dhe për të ndjekur hap pas hapi burimet zyrtare nga sistemi përkatës shëndetësor.
Përsa i takon shtetit, të gjitha masat e parashikuara duhen përshkallëzuar hap pas hapi. Që nga mesnata e mbrëmshme kemi përgatitur hyrjen në skenarin e parë që ishte parapërgatitur nga komuniteti i ekspertëve. Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve direkte me veriun e Italisë dhe praktikisht në të gjitha zonat e kuqe deri në 3 prill.
Mbyllja e institucioneve arsimore për një periudhë 2 javore. Pse mbyllja e institucioneve? Duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë, se nga të gjitha statistikat e nxjerra deri tani, pjesa më pak e kërcënuar janë të rinjtë, por duhet kuptuar se të rinjtë ose fëmijët, për shkak të faktit se shkojnë në shkollë dhe mblidhen së bashku, mund ta transmetojnë virusin tek të tjerët, edhe pse për ata vetë virusi nuk shfaq rrezikshmëri për jetën.
Për këtë arsye ne besojnë se është momenti që të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojnë anulimin e të gjitha grumbullimeve masive deri në datën 3 prill për ta parë dinamikën e këtij zhvillimi”. /abcnews.al