Të frikësuar nga ndonjë izolim i mundshëm, si pasojë e epidemisë së koronavirusit, njerëz nga vende të ndryshme të botës kanë nisur të zbrazin supermarketet.
Është thënë edhe më herët se veç maskave dhe dezinfektuesve, një artikull tjetër që mungon në rafte janë letrat higjienike. Dhe, një video e ndarë së fundmi në rrjet demonstron konkretisht sesi është situata në markete.
Pamjet, të cilat thuhet të jenë filmuar në një supermarket në Australi, tregojnë sesi tre gra kanë filluar të zihen për pakon e fundit të letrave higjienike në raft. Videoja është filmuar në marketin Woolworths në Chullora, afër Sydney-t në një kohë që bota është “mbërthyer” nga ethet e koronavirusit.
Raportohet se zënka nisi në momentin që nënë e bijë u pikasën nga blerës të tjerë ndërsa merrnin pakon e fundit të letrave higjienike. Pamjet shqetësuese tregojnë gratë teksa kapen për flokësh me njëra-tjetrën.
Numri i personave të infektuar me koronavirus në Australi është 64 ndërsa jetë kanë ndërruar dy persona. /abcnews.al/