Pas “Oxfam”, hije skandali kanë rënë edhe mbi organizatën tjetër humanitare “Mjekët pa Kufij”. Grupi ka bërë me dije se në vitin 2017 ka marrë 40 sinjalizime për ngacmime dhe abuzime seksuale.
Organizata e bamirësisë “Mjekët pa Kufij” është përfshirë gjithashtu nga hijet e skandaleve seksuale. Ka qenë vetë grupi, i cili vepron kryesisht në vendet e luftës, që ka bërë me dije se vitin e kaluar ka marrë 40 sinjalizime për ngacmime seksuale në strukturat e saj.
Sipas njoftimit, një hetim i brendshëm në radhët e organizatës ka zbuluar rastet, nga të cilat 24 konsiderohen si abuzime seksuale. Mësohet se lidhur me rastet në fjalë 19 anëtarë të personelit janë shkarkuar nga detyra, ndërsa të tjerë janë sanksionuar në mënyra të tjera.
Lajmi për “Mjekët pa Kufij” vjen pa kaluar ende stuhija që përfshiu organizatën tjetër të bamirësisë, “Oxfam”. Sidoqoftë, organizata nënvizon se lidershipi e saj po e trajton çështjen me seriozitet dhe paralajmëron se nuk do të tolerojë asnjë rast të përdorimit të postit nga anëtarët e saj për qëllime personale.
Në vitin 2017 “Mjekët pa Kufij” kishte mbi 40 mijë anëtarë që punonin në terren dhe ka patur 146 deklarata ose sinjalizime për abuzim me detyrën, diskriminim, ngacmime dhe forma të tjera sjelljeje të pahijshme./abcnews.al