Bylisi nuk po arrin të gjejë fitoren e parë në kampionat. Ballshiotët u mposhtën një ditë më parë nga Laçi dhe një pjesë të përgjegjësisë e kishte portieri Isli Hidi, i cili gaboi te dy golat e kurbinasve. Gjithsesi nuk ka shumë kohë deri te ndeshja e radhës, kundër Luftëtarit.
Në atë përballje nuk falet hapi fals dhe pritet që trajneri Veljko Dovedan të bëjë ndryshime në formacion. Ditën e djeshme ai deklaroi se Hidi nuk do të luajë titullar dhe me shumë mundësi Festim Miraka do e nisë nga fillimi kundër ish-ekipit të tij.
Edhe në prapavijë do të ketë lëvizje. I gatshëm për këtë ndeshje do të jetë edhe Silvester Shkalla. Mbrojtësi ishte i pezulluar ndaj Laçit, kurse me Luftëtarin është i gatshëm për stafin teknik. I vetmi lojtar që do të mungojë prej kartonëve është mesfushori Serxho Ujka, i cili u ndëshkua me kurbinasit. / abcnews.al