VIDEO/ Rapo e Greca nderojnë Laçin, fitore me zemër ndaj Bylisit

schedule15:52 - 4 Mars, 2020

schedule 15:52 - 4 Mars, 2020

Laçi mposht Bylisin me rezultatin 2-1 dhe marrin për momentin vendin e tretë, duke ushtruar presion te Partizani dhe Kukësi i vendit të dytë. Ballshiotët nuk dinë të fitojnë në kampionat këtë vit, ndërkohë që sot vendosën prurjet e merkatos së janarit. Greca dhe Rapo shënuan për Laçin, kurse për miqtë realizoi me penallti Mozzone.

PJESA E PARË – Kartonë të verdhë, gol i anuluar dhe shtyllë. Laçi-Bylisi ishte një ndeshje shumë e luftuar në 45 minutat e para. Kurbinasit ishin më kërkues dhe dominuan, por edhe mund të ishin ndëshkuar. Në minutën e dhjetë, Nëabueze për Laçin e dërgoi topin në rrjetë, por arbitri Juxhin Xhaja e anuloi për prekje të topit me dorë nga sulmuesi.

Katër minuta më pas kurbinasit kishin rastin më të mirë për të kaluar në avantazh. Greca pasoi në zonë, aty ku Lushkja e gjuajti topin jashtë kuadratit. Nëse do ia linte Xhixhës, do të kishte qenë më e lehtë për ta dërguar në rrjetë.

Ditmar Bicaj për pak e befasoi Laçin, kur kishin kaluar gjysmë ore lojë. Ditmar Bicaj, pas një goditjeje këndi u ndal nga shtylla pingule. Shpëtuan vendasit, ndërkohë që kartonët ishin të shumtë në këtë përballje, plot pesë të verdhë. Gola nuk pati dhe ekipet shkuan drejt dhomave të zhveshjes duke e lënë rezultatin 0-0.

PJESA E DYTË – Nwabueze shqetësoi Laçin që në fillim, pasi u dëmtua dhe trajneri Cungu u detyrua ta zëvendësonte. Vecaj u hodh në fushë në vend të tij dhe Greca u postua në sulm. Bylisi fitoi terren dhe Dovedan aktivizoi Mozzone, për t’i dhënë një impakt tjetër sulmit.

Gjithsesi ishin vendasit ata që shënuan në portën e Bylisit, përmes anësorit Bedri Greca. Pas një topi që Hidi nuk e kontrolloi dot, lojtari i Laçit nuk fali dhe e dërgoi topin drejt e në rrjetë. Kurbinasit në epërsi, por nuk zgjati shumë.

Gaboi Eglentin Gjoni, i cili pas një goditjeje dënimi të miqve, preku një top me dorë dhe penalltia ishte e padiskutueshme. Mozzonë për miqtë u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e mposhtur portierin Dimitri Stajila.

Cungu përdori kartën e fundit, Donald Rapo, i cili tre minuta pasi hyri në fushë arriti të shënonte në portën e Bylisi dhe t’i jepte epërsinë skuadrës së Laçit. . Ai gol rezultoi edhe i fitores, me vendasit që morën tre pikë të arta. /abcnews.al

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 25
E mërkurë, më 4 mars, ora 14:00

LAÇI-BYLISI 2-1
Shënues: Greca 57’, Rapo 86’ / Mozzone 64’ (pen.)

LAÇI: Stajila, Fangaj, Ignjatovic, Gjoni (Selmani 69’), Turkaj, Deliu, Shehu, Lushkja, Greca, Xhixha, Nwabueze (Vecaj 52’). Trajner: Armando Cungu.

BYLIS: Hidi, Vicente, Bicaj, Janku, Peposhi, Mëllugja, Murataj, Ntephe (Mozzone 55’), Qardaku (Bajramaj 61’), Munoz, Guindo. Trajner: Veljko Dovedan

Kartonë të verdhë: Fangaj 44’, Greca 45+1’, Deliu 60’ / Bicaj 29’, Mëllugja 35’, Janku 40’, Mozzone 65’

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!