Problemet me racizmin vazhdojnë në futboll. Përpos fushatave të shumta nga ana e UEFA-s dhe jo vetëm, ende shumë futbollistë vuajnë në fushën e lojës. Rasti i fundit vjen nga Championshipi në Angli, ku portieri i Leeds United, Kiko Casilla, është dënuar me tetë ndeshje për akuza për racizëm.
Këtë lajm e ka konfirmuar vetë klubi anglez në faqen e tij, duke pranuar dënimin e portierit. Ngjarja e shëmtuar ka ndodhur në shtatorin e 2019, konkretisht në ndeshjen kundër Charlton Athletic. Spanjolli ka fyer lojtarin Jonathan Leko për shkak të ngjyrës së tij dhe sigurisht nuk mund të mungonte një dënim në drejtim të tij.
“Ne si klub jemi totalisht kundër racizmit dhe çdo lloj diskriminimi tjetër në futboll. Gjithsesi portieri jonë i ka mohuar të gjitha akuzat që kanë ardhur në drejtim të tij. Federata e ka dënuar Casilla me 8 ndeshje, por duke mos u bazuar në prova të vërteta. Në javët në vazhdim do të publikohet dhe vendimi i detajuar nga organet përkatëse të FA”, shkruhet në deklaratën e Leeds United. /abcnews.al