“Tubimi i thirrur nga Meta për të mbrojtur veten?” Murati: Demokracia shqiptare nuk cënohet nga dalja e popullit

schedule10:31 - 28 Shkurt, 2020

schedule 10:31 - 28 Shkurt, 2020

I ftuar në studion e “ABC News” me Juli Xhokaxhi, gazetari Erl Murati ka folur për tubimin e thirrur nga Presidenti Meta. I pyetur si fillim për arrestimin e sotëm të botuesit Henri Çili, ai theksoi se nuk ka informacione të konfirmuara, ndërsa u shpreh se ndjen keqardhje për botuesin .

“Është një gazetar i vjetër me eksperiencë dhe është një lajm që të lë një shije të hidhur. Ende nuk ka informacione të konfirmuara, por si koleg për Çilin kam keqardhje”, tha Murati.

Gjatë bisedës në studio sa i përket protestës të thirrur nga Meta ai theksoi se rotacioni duhet të vijë nëpërmjet zgjedhjeve.

“I ndalur te sqarimet e fundit të dhëna nga vetë Presidenti, Murati tha se: “Edhe kritikët më të mëdhenj të presidentit bashkohen në një pikë se nga pikëpamja juridike, Meta ka të drejtë për çështjen në fjalë.

Meta ka ngritur dy çështje: Rama synon të kapë Gjykatën Kushtetuese dhe përcaktimi Kushtetues që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të betohen para Presidentit, dhe në këtë pikë i japin të drejtë.

Por dalja në rrugë sjell një invertim të roleve. Kishim opozitën në rrugë ndërsa presidenti e ftonte për zgjidhje,  ndërsa tani ka një qasje tjetër. Tërmeti i 26 nëntorit futi në frigorifer politikën shqiptare.

Në këtë vend kanë bërë tubime edhe ambasadore, nuk do ta quaja skandaloze thirrjen e Presidentit. Demokracia shqiptare nuk cënohet nga dalja e popullit”.

Cilat mund të jenë skenarët e Presidentit?

Murati: Çdo politikan lëvizjet e tij i kalkulon paraprakisht. Mazhoranca nuk do t’ja dijë për vendimet e presidentit. Dyshoj se kjo lëvizje do të arrijë qëllimin e saj. Besoj se tre marsi do të jetë po njësoj nuk do të sjellë ndryshime.

Çfarë do të firmosë Ilir Meta?

Murati: Nga informacione të pakonfirmuara, besoj do të firmosë kthimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Sa ndikon kjo tek Edi Rama ?

Murati: Dyshimi që mazhoranca do të reflektojë është i arsyeshëm. Edhe vetë Meta besoj se dyshon se Rama mund të tërhiqet. Nuk ia dolën banorët e “Astirit”, pjesërisht ia dolën stutdentët.

Në rast se kauza do të ishte pozitive sa qëndron Ilir Meta në besueshmërinë opinionit dhe se gjithë këtë e bën për të mbrojtur veten, ka frikë nga reforma në drejtësi?

“Kemi të bëjmë me nje klasë politike që e ka dhënë produktin e saj. Beteja nëse qëndron brenda parametrave demokratike është e kuptueshme nga të gjitha palët. Kemi një klasë politike që vetë e votojmë. Meta ka hyrë edhe në grevë urie për Kushtetutën”, tha Murati./abcnews.al