LIVE/ Konfirmohet me koronavirus zyrtari i lartë në Iran

schedule13:55 - 25 Shkurt, 2020

schedule 13:55 - 25 Shkurt, 2020

Zv.ministri i Shëndetësisë i Iranit është konfirmuar me koronavirus. “The Guardian” raporton se zv.ministri Iraj Harirchi ëhstë infektuar dhe tani ndodhet në karantinë. Në iran kanë vdekur 14 persona deri më tani nga koronavirusi.

13:14 Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në Kroaci, ishte kthyer nga Milano

Është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në Kroaci. Siç raporton “The Guardian“, mësohet se bëhet fjalë për një djalë me banim në Zagreb. Ky është rasti i dytë i konfirmuar me koronavirus në Ballkan. I pari ishte në Serbi.

Rasti u konfirmuar nga kryeministri Andrej Plenkoviç, i cili tha se i riu është futur në karantinë dhe po mbahet nën kujdesin e mjekëve.

Ministri i Shëndetësisë Vili Beros konfirmoi se i riu kishte ndejtur gjatë datave 19-21 shkurt në Milano.

Ndërkohë, Austria ka konfirmuar gjithashtu dy raste me koronavirus në zonën e Tirolit, një qytet kufitar me Italinë, ku autoritetet po përpiqen të fusin virusin nën kontroll.

13:12 Koronavirusi, Italia nxjerr ushtrinë në rrugë

Numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar brenda pak orëve në 283 në Itali, ndërsa deri më tani numërohen shtatë të vdekur.

Madje, siç raporton TGcom autoritetet kanë nxjerrë në rrugë edhe ushtrinë për të mbajtur situatën nën kontroll një zonat që ndodhen në karantinë.

Rastet më të shumta janë në Lombardi.  Këtu është edhe numri më i madh i të vdekurve nga koronavirusi, plotë gjashtë të tillë, ndërsa 38 të tjerë të prekur dhe 1 i vdekur janë shënuar në Veneto.

Siç raportonin autoritetet, deri në mëngjes numri i të prekurve ishte 232, por duket se nxjerrja e analizave të të dyshuarëve të tjerë ka bërë numri të rritet nga ora në orë duke mbërritur tani në 283.

13:12 Koronavirusi, shtohen masat në shkolla: “Edith Durhan” pa ujë

Paniku i mbërritjes së mundshme të koronavirusit në Shqipëri, ka bërë që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa paraprake, duke treguar edhe më shumë kujdes ndaj fëmijëve.

Gazetarja Erneta Shevroja raporton për abcnews.al për gjendjen e nje prej shkolave në Tiranë përkatësisht shkolla “Edith Durhan”.

“Ndodhemi pranë një shkolle ku arritëm të flisnim me disa prej fëmijëve, ku na informuan se kishin marrë masa sa i përket higjenës. Heqja e maskës nuk është detyrim, por vetëm në momentet kur një prej nxënësve pyetet për mësim. Alarmi është ngritur në Itali por një sërë masash janë marrë edhe në vendin tonë.

Fëmijëve u është këshilluar të kenë kujdes, kur kolliten apo kur flasin me njëri tjetrin. Fëmijët kanë treguar se nga shtëpia marrin dezinfektant, pasi uji në shkolë vjen me orare dhe nuk kanë ujë të lajnë duart. Nga ana e mësuesve dhe prindërve ka një angazhim, por nga ana tjetër mungon infrastruktura në shkollë, ku mungojnë elementët bazë”, raportoi gazetarja.

12:46 Abuzimet me çmimet e maskave dhe dezinfektuesve, nis hetimi ndaj farmacive

Frika dhe paniku nga virusi Covid ose Koronavirusi ka bërë që gjithë qytetarët të drejtohen në masë drejt farmacive dhe të blejnë maska mbrojtëse dhe dezinfektant.

Gjatë këtyre orëve të fundit janë raportuar se çmimet e këtyre produkteve mjekësore janë shumëfishuar. Gjithsesi ministria e shëndetësisë deklaroi se është duke monitoruar situatën në lidhje me çmimet edhe pse farmacitë janë treg privat.

Për këtë shqetësim të ngritur jo vetëm nga qytetarët për çmimet abuzive Prokuroria e Tiranës ka nisur kryesisht hetimet.

Sipas prokurorisë hetimet nisën pas informacioneve në media dhe shqetësimit të qytetarëve për shumëfishim të çmimit t maskave dhe dezinfektantëve.

Prokuroria e Tiranës nis kryesisht hetimet për abuzimet me çmimet për produktet që shërbejnë për parandalimin e simptomave të gripit. Hetimet nisen pas informacioneve në media dhe shqetësimit të qytetarëve për shumëfishim të çmimit të maskave dhe dezinfektantëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!