Tensioni i përjavshëm parlamentar si produkt i një marrëveshjeje të pasuksesshme si ajo e 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës e nxiti opozitën të dilte në rrugë për të kërkuar rrëzimin e qeverisë.
Në 16 shkurt protesta e opozitës kishte pak fjalime dhe shumë reagim nga përkrahësit e opozitës të cilët sulmuan godinën e kryeministrisë dhe morën si kundërpërgjigje gazlotsjellës nga forcat e policisë. Pas më shumë se 5 orësh proteste, Lulzim Basha tërhoqi protestuesit dhe premtoi se opozita do ta lexonte drejtë revoltën qytetare. Pas një mbledhjeje të grupit parlamentar, Basha njoftoi vendimin ekstrem të Partisë Demokratike, vendim që u mbështet dhe nga aleatët e tij në opozitë.
“Kam nderin dhe privilegjin, të bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar të PD për djegien e mandateve”, shprehej Basha.
Vendimin e marrë në grupin parlamentar, kryeopozitari e çoi në fund përmes një akti publik me dorëheqje të firmosura në Kuvendin e Shqipërisë. Një vit më pas, Parlamenti vijon të jetë funksional për shkak se shumë prej vendeve të lëna bosh nga grupet parlamentare të opozitës u zëvendësuan me kandidatë nga listat shumëemërore të listave për deputetë. Por pavarësisht kësaj, Basha është i bindur se parlamenti edhe përse është funksional s’ka legjititimetiet.
“Për ne ky Parlamet është shpërndarë më 18 shkurt të vitit 2019. Çdo ligj i këtij Parlamenti i ndërmarrë nga një maxhorancë ilegjitime dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese për ne është nul“, është shprehur kryedemokrati.
Por aleatët e Partisë Demokratike kanë gjykime të ndryshme kur gjykojnë vendimin e marrë një vit më parë. Agron Duka nuk e konsideron një bast të humbur djegien e mandateve.
“Akoma ky bast është në lojë sepse nuk besoj që edhe pozita vetë ka menduar që do të arrijë aq sa ka arritur deri tashmë. Unë sipas mendimit tim sipas atij xhesti, opozita tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve për gjendjen e krijuar në Shqipëri sidomos me lidhjen e mazhorancës me krimin dhe si pasojë ne sot jemi përpara disa kushteve të Bundestagut, të cilat në njëfarëmënyre favorizojnë atë që të gjithë duam ne, pra ndarjen e politikës nga krimi”, deklaron Duka
Por për kreun e republikanëve, Fatmir Mediu opozita në aksionin e saj nuk duhet të përqëndrohej vetëm te procedurat por te vendimarrja politike.
“Unë kam menduar gjithë kohën se beteja bëhet në institucione dhe ty të është dhënë besimi nga qytetarët për t’u përballur me të keqen kudo që të jetë. Por mendoj që ne duhet të kishim menduar shumë më drejtë për hapat që kishin të bënin me Parlamentin. Sepse edhe çështja e drejtësisë varet edhe nga pesha që ka opozita në Parlament. Mendoj që opozita për mendimin tim pati një problem sepse u lidh më tepër me procedurën sac u lidh me qendrimin politik dhe me efektet që ka qëndrimi politik”, thotë Mediu.
Nard Ndoka është i idesë se pas një viti, më shumë se sa opozita jashtë sistemit ka dalë maxhoranca.
“Roli i opozitës nuk është thjeshtë Parlamenti, ne realisht e kemi mandatin e përfaqësimit nga qytetarët, kemi mandat politik. Pra në njëfarë mënyre maxhoranca ka dalë nga sistemi, jo opozita. Ne jemi në sistem, ne jemi tek qytetarët, kemi ushtruar funksionin tonë kushtetues më së miri, i kemi përfaqësuar ata qytetarë edhe më mirë se të jemi në Parlament”, shprehet Ndoka.
Ulja në tryezën e reformës zgjedhore duket se ka kënaqur të dy palët. Opozita quan fitore diskutimin për zgjedhoren jashtë parlamentit ndërsa maxhoranca i është gëzuar faktit që pas një viti mund të bind opozitarët për dialog. /abcnews.al