Klubi spanjoll i Levantes e pagoi shtrenjtë transferimin e Armando Sadikut. Mediat polake japin shifrën e vërtetë të largimit të sulmuesit të kombëtares nga Legia e Varshavës.
U tha se kartoni i tij kushtoi 1 milionë euro.
Nga Polonia këshillojnë se kjo shifër për Armando Sadikun është e vogël dhe duhet rritur ca.
Mediat polake raportojnë se Levante pagoi 50 për qind më shumë sesa u tha më parë, plot 1.5 milionë euro për të pasur shërbimet e sulmuesit të kombëtares shqiptare.
Një transferim i niveleve të larta, kur bëhet fjalë për ligën polake të futbollit dhe për një klub modest spanjoll si Levante.
Jo vetëm kaq, por Legia e Varshavës, ish-klubi i tij, doli me fitim, pasi verën e kaluar shpenzoi 750 mijë euro për ta marrë nga Zvicra.
Sadiku nuk arriti të përshtatej siç duhet tek Legia, ku shënoi gjithsej 7 gola në të gjitha kompeticionet, dhe shërbeu 4 asiste, ndërsa shpreson që tek Levante të kthejë karrierën për mbarë.
Historia e tij është një histori suksesi, pasi 26-vjeçari i kombëtares shqiptare ka arritur të lerë gjurmë në të gjitha skuadrat ku ka luajtur.
Që nga Turbina e Cërrikut në Shqipëri, për të kaluar tek Elbasani, pastaj në Zvicër me Lokarnon, Luganon, Zyrihun apo Vaducin, ai ka arritur të shënojë vazhdimisht gola.
Me ekipin përfaqësues të Shqipërisë, Sadiku ka shënuar deri tani 11 gola në 32 ndeshje, dhe i ka të gjitha shanset që të bëhet rekordmen i rrjetave./abcnews.al