Numri II i PS-së, Taulant Balla deklaroi sot se nuk ka një krizë apo përplasje mes mazhorancës qeverisëse dhe Presidentit të Republikës. Sipas tij, deklaratat e Metës për Gjykatën Kushtetuese, janë të njëjta me një person që është nën akuzë dhe që sulmon gjyqtarin e çështjes. Ai i kërkoi medias të mos fokusohen tek deklaratat e Metës, por tek projekti i rindërtimit. Ai gjithashtu i kërkoi Metës ta ndajë mendjen nëse do dalë si lider opozite apo do qendrojë në Presidencë.
Pjesë nga deklarata e Ballës:
Në kuadër të procesit të integrimit, 26 Marsi do të jetë moment i rëndësishëm për pritshmëritë e përbashkëta janë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të marrin nga këshilli Europian dritën jeshile. Edhe për aktorët politik në vend e ardhmja europiane është projekti më i rëndësishëm dhe jo kapriçot personale, ndaj le të fokusohemi tek ky proces.
Ka edhe politikanë apo individë që harrojnë se halli personal nuk mund të mbivendoset mbi integrimin europian të vendit. Do ju lutesha, ju medias të mos harxhoni kohë kot, me histori idioteske grushtesh e mos grushtesh, vemendja e shqiptarëve duhet te jete tek procesi i rindërtimit duhet të jemi të gjithë bashkë si në ditët e pasgodijtes për tu fokusuar tek njerëzit që kanë nevojë për solidaritet dhe tek integrimi europian i vendit.
Presidenti aktual i Republikës është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri që Ilir Meta ka kohë që e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend.
Për këtë, opozita ka lidershipin e saj, madje Meta mund të marrë pjesë lirisht në tryezat që Basha organizon me opozitën, brenda në selinë e PD. Ne kemi dakordësi me PD, lidershipin e saj zyrtar, që me sa di unë është Lulzim Basha, për të vijuar bisedimet, ose përfshirjen e PD në procesin institucional të draftimit të një kodi zgjedhor. PD është përfshirë në procesin institucional dhe po punojmë bashkarisht për draftin final të kodit zgjedhor, ky proces ka ecur mirë dhe 15 marsi është afër për marrëveshjen e firmosur mes palëve për reformën zgjedhore.
Do vijojmë dhe një diskutim për të vlerësuar një kërkesë legjitime të aktorëve të rinj të krijuar në vend, siç është opozita parlamentare, për çështjen e sistemit zgjedhor, edhe pse unë them që ne kemi një sistem zgjedhor tejet të ri. Të paktën dy dekada janë të mjaftueshme për të testuar një sistem zgjedhor. /abcnews.al