Polemika në Japoni/Një shkollë fillore zgjedh uniformë të Armani që kushton 600 euro

schedule10:39 - 9 Shkurt, 2018

schedule 10:39 - 9 Shkurt, 2018

Një shkollë fillore në Tokio të Japonisë ka ngjallur polemika në vend për shkak të vendimit për të veshur nxënësit me një uniformë të firmës së njohur Armani. Veshja do të kushtojë 600 euro.

Polemika kanë shpërthyer në Japoni, pasi një shkollë fillore në një lagje mode në Ginza të Tokios, ka vendosur të adoptojë një uniformë të modeluar nga Armani që do të vishet nga nxënësit e vegjël. Veshja për frekuentuesit e institutit prestigjoz “Taimei” kushton mbi 80 mijë jen, rreth 600 euro. Diskutimet e ashpëra në opinionin publik kanë tërhequr edhe vëmendjen “Dieta-s”, parlamentit të Japonisë.

Drejtuesit e shkollës kanë kërkuar një veshje që do të ishte në lartësinë e duhur të institutit dhe vetëm kompania me famë botërore ishte e denjë: “Me qëllimin që të kemi një uniformë të denjë për një shkollë në Ginza, kemi vizituar dyqanet e mëdha, për të cilat kjo lagje e Tokios është e njohur, dhe Armani ka pranuar ta dizajnojë atë”, theksoi presidenti I shkollës fillore.

Më pas ka ardhur dhe përplasja me Shoqatën e prindërve dhe mësuesve, nga të cilët kanë dalë të paktën 5 ankesa. Deputetja Manabu Terada të Partisë së Shpresës ka dërguar çështjen në vëmendje të Komisionit të buxhetit të Dhomës së Ulët. “Duhet të ketë një limit në çmim”, u ka thënë ajo politikanëve të tjerë.

Ministri i Financave, Taro Aso u përgjigj duke thënë se në atë shkollë është rënë dakord se mund të jetë e rëndë nëse një nxënës nuk mund të përballojë atë shpenzim. Kurse ministri I Arsimit, Yoshimasa Hayashi shpjegoi se do të ndërhyjë në mënyrë që kostoja e suportuar nga familjet të mos jetë e tepërt. Ndërkohë, vetë shkolla fillore ka bërë me dije se nuk do t’u kërkojë nxënësve që të veshin uniformën me detyrim por edhe që nuk do të tërheqin prapa vendimin për veshjet Armani./abcnews.al