ABC News ka siguruar videon kur studenti i cili i ndërpreu fjalën kryeministrit Edi Rama gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të mjekësisë është nxjerrë me forcë nga salla.
Në video shihet momenti kur studenti tërhiqet nga dy truprojat, të cilët e mbajnë nga krahët dhe tentojnë ta nxjerrin jashtë.
Vetë studenti dëgjohet teksa thotë: Hiqi durt, mos më prek me duar!
Studenti, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, u shpreh në mes të sallës se, që të diplomohesh në Shqipëri, duhet të kesh shumë para pasi këtu diplomohen vetëm të pasurit, dhe se diploma u sherben si biletë për arratisje.
Incidenti ndodhi në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Mjekësisë, teksa kreu i qeverisë po fliste lidhur me kushtet e reja ku po punojnë “bluzat e bardha”, një nga studentët në sallë ka ngritur zërin.
Ndërkohë Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin përmes një postimi në rrjetet sociale kanë njoftuar se aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita pasi janë nxjerrë jashtë, janë shoqëruar dhe po mbahen në komisariatin nr.1 në Tiranë.
“Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin i përplasin në fytyrë Edi Ramës realitetin e zymtë.
Aktivistët e Lëvizjes Për Universitetin i përplasin në fytyrë Edi Ramës realitetin e zymtë në të cilin ndodhet shëndetësia dhe profesioni i mjekut. Sot pasdite, Edi Rama kishte zgjedhur ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit të Mjekësisë si platformën e propagandës së tij qeveritare. Aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita i kujtuan plakut që ka mbërthyer të gjitha pushtetet se diploma e mjekut është kthyer në biletë avioni për në Gjermani dhe se përbën një luks vetëm për ata studentë që mund ta përballojnë tarifën e kripur.
Mjekët shqiptarë kanë pagat më të ulëta në rajon me vetëm 408-527 euro në muaj. Në pesë vitet e fundit janë larguar 857 mjekë nga Shqipëria, ndërkohë që 78% e mjekëve të anketuar shprehen se dëshirojnë të largohen drejt Gjermanisë. Buxheti i shtetit për mjekësinë është më i ulëti në rajon dhe Evropë me vetëm 2.9% të PBB. Tarifa e Masterit në disa degë të UM është më e larta në vend, me mbi 200.000 lekë (të reja) në dy vjet.
Për më tepër, Edi Rama ka ngritur skemën më të madhe të vjedhjes së shqiptarëve përmes PPP-ve pikërisht në sektorin e shëndetësisë, ku në dhjetëvjeçarin e ardhshëm qeveria shqiptare ka autorizuar pagesën prej 38 miliardë lekësh për vetëm katër koncesione: Check-up-i (8.8 miliardë lekë), sterilizimi i sallave (12.3 miliardë lekë), shërbimi i hemodializës (1.5 miliardë lekë) dhe shërbimet laboratorike (13 miliardë lekë).
Ndërkohë, batutat e ‘plakut Mere’ dëshmojnë gjendjen e tij të mjeruar. Brezi i ri i mjekëve dhe infiermerëve nuk e meriton Edi Ramën si kryeministër. Ata duhet t’i bëjnë rezistencë shkretimit të mëtejshëm të profesionit të tyre.
Aktivistët Enriko Peçulaj dhe Emiljando Kita janë nxjerrë jashtë nga truprojat e Edi Ramës dhe mbahen të mbyllur në qelitë e komisaritatit nr. 1.
U bëjmë thirrje të gjithë aktivistëve të bashkohen për të kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre”./abcnews.al