Tre mijë mjekë nga Shqipëria dhe Kosova punojnë në Europë, Manastirliu propozon paketën

schedule15:35 - 20 Shkurt, 2020

schedule 15:35 - 20 Shkurt, 2020

Hemoragjia e mjekëve nga vendi po kthehet në fenomen shqetësues vitet e fundit. Tre mijë mjekë nga Shqipëria dhe Kosova punojnë në shtetet Europiane, një mije prej tyre vetëm në Gjermani. Shifrat u prezantuan ne “Takimin e Mjekëve të Diasporës” ku ministrja e Shëndetësisë foli për një paketë mbështetje për rikthimin e bluzave të bardha.

Altin Ndrio ishte drejtues i  “Shëndetit Publik” të Tiranës kur vendosi të largohej nga vendi. Shqipëria tregon se nuk i dha mundësi për të vijuar karrierën në mjekësi.  Atë që i mohoi vendi i tij Ndrio thotë se e gjeti në Portugali. Prej dhjetë vitesh punon si asistent spitalor në fushën e pathologjisë klinike në Porto qytet ku u vendos që prej vitit 2000.

“Megjithëse në një vend të huaj burokracitë nuk janë si në Shqipëri, nëse kërkon të bësh diçka, e ke rrugën e hapur” , tha ai.

Elona Meta Haubrich prej tetë vitesh shërben si mjeke urgjence në Gjermani ku u largua sapo përfundoi studimet e larta. Pasqyrë të asaj që i ofronte Shqipëria kishte të motrën e cila pavarësisht përpjekjeve nuk arriti ta ushtronte profesionin në vendin e saj. Sot të dyja drejtojnë një klinikë në Hanover dhe kanë ngritur Federatën e Mjekëve Shqiptar në Europë.

“Arsyeja kryesore është se pagat janë të ulëta dhe kjo i detyron mjekët të largohen nga Shqipëria. Mjekut shqiptar në vendin e tij nuk i jepet mundësi të bëhet profesionist”, tha Elona Meta Haubrich, prej tetë vitesh mjeke urgjence në Gjermani.

Vetëm  në Gjermani sipas federatës ushtrojnë profesionin e tyre 1 mijë mjekë nga Shqipëria dhe Kosova. Në Europë numri i tyre shkon në tre mijë. Ata janë larguar kryesisht pas liberalizimit të vizave dhe katër vitet e fundit. Një pjesë u mblodhën në Tiranë në takimin e mjekëve nga Diaspora.

“Ky është një aktivitet që nuk dëshiron të konsumojë atë që duket. Në kohën e sotme të jesh budalla është luks, të jesh mjek ke bashkëshoqërues dhimbjen. Sado programe të krijojë qeveria ende nuk mundemi financiarisht dhe profesionalisht ti ofrojmë mundësinë që kanë në vendet ku punojnë”, u shpreh Ministri Për Diasporën Pandeli Majko.

Megjithkëtë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tregoi se qeveria po përgatit një paketë të plotë për të mbeshtetur kthimin e mjekëve në Shqipëri.

 “Do të ketë mbështetje të plotë që nga nismat finaciare me një kontratë që do të përmbushë pritshmëritë që mjekët kanë për punën që do të bëjnë kur të kthehen në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Por a dëshirojnë mjekët të kthehen?

“Do të ishte një arsye shumë e mirë për tu kthyer, për të qenë me familjen dhe për të dhënë kontributin në vendin tonë”, tha një nga mjeket.

Ndërsa një tjetër mjek nuk u shpreh pozitiv pasi sipas tij duhet ende shumë ounë: “Në këtë moment jo, sepse akoma duhet punë”, tha ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!