Katër persona u arrestuan pas kapjes së kamionit me kokainë në Maqedoninë e Veriut, i cili kaloi përmes dy doganave shqiptare, atë të Hanit të Hotit dhe më pas të Qafë Thanës.
Besohet që kamioni kishte 1.3 ton kokainë, por ajo u zëvendësua me paracetamol dhe allçi nga policia italiane.
Në një dalje publike, ministri teknik për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, Naqe Çulev deklaroi se gjatë aksionit të mbrëmshëm në Krushopek të Sarajit është konfiskuar vetëm 1 kilogram.
Droga ishte fshehur në kuti me banane, fotot të cilave i ka siguruar abcnews.al.
“Në shtetin tonë është konfiskuar vetëm një kilogram, sasia tjetër është në shtet tjetër, bëhet fjalë për një sasi të madhe por nuk mund ta them për të mos dëmtuar hetimin. Ditëve në vijim do të mësoheni me detajet por edhe sasinë e drogës”, tha Çulev në daljen për mediat.
Burime për ABC News kanë thënë se kamioni ka hyrë që dje nga dogana e Hanit të Hotit dhe ka dalë ne Qafë Thanë, për të udhëtuar drejt Maqedonisë.
Autoritet tona e kanë mbajtur nën vëzhgim, pasi kanë patur informacion për kamionin, dhe e kanë lejuar që të kaloje në Shqipëri në koordinim me të gjithë autoritetet ndërkombëtare të përfshira në këtë operacion. Në këtë aksion kanë marrë pjesë DEA Amerikane, Guardia di Financa, policia shqiptare dhe autoritete të tjera të vendeve fqinje. /abcnews.al