Basha – Bushati replikë për votën në OKB

schedule17:52 - 8 Shkurt, 2018

schedule 17:52 - 8 Shkurt, 2018

Mocioni me debat i kërkuar nga Partia Demokratike lidhur me votën e Shqipërisë në OKB përplasi ministrin Ditmir Bushati me kreun e opozitës, Lulzim Basha. Ndërsa ky i fundit theksoi se rezoluta jo vetëm nuk ishte shtrënguese ndaj vendit, por vendimi u bazua jo mbi interesin kombëtar, por bazuar mbi shantazhet që i vijnë kreut të ekzekutivit, Edi Rama, mbi dosjet inkriminuese ndaj tij.

Mocioni me debat i kërkuar nga Partia Demokratike për ndryshimin e qëndrimit të Shqipërisë sa i përket votimit në OKB mbi rezolutën turke kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara përplasi minsitrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, me kreun e opozitës, Lulzim Basha, në sallën e seancave plenare. Strategjia e zgjerimit të BE-së u kthye në topin e shërbimit.

Ditmir Bushati: “Unë prisja që sot që opozita të ishte e gëzuar dhe të mbështeste qeverinë, të mbështeste Shqipërinë për strategjinë e zgjerimit që publikoi Komisoni Europian. Unë prisja që kryetari i PD t’i kërkonte një falje përfaqësues së jashtme të BE-së Federica Mogherini që para pak kohësh i tha që je bajgë”.

Lulzim Basha: “E kundërta është e vërtetë. Kur ju o zullumqarë, vutë në gojën e Mogherinit fjalët “Se vetëm me vetingun do të hapeshin negociatat”, ju thashë se kjo ishte baltë. Madje ju thashë se këto ishin bajga që iu shisni shqiptarëve. Dhe ja ku jemi sot dhe fjala ime ka dalë. Se nuk është vetingu që hap negociatat, por janë banditët që ti ke sjellë dhe i ke bërë ministra të brendshëm, që duhet të jenë në burg e jo të qeverisin me ty, të ndajnë paratë me ty e të bëjnë drogën me ty.”

Bushati citoi votime të mëparshme të Shqipërisë në OKB për të theksuar linjën e votimit, sa i përket lindjes së mesme, por kreu i opozitës Basha insistoi në mungesën e nevojës së votimit në rastin e një resolute të Asamblesë së OKB-së, jo Këshillit të saj të Sigurimit.

Ditmir Bushati: “Dëshiroj të theksoj se votimi nuk është aspak i veçantë në lidhje me këtë temë. Çdo vit, Asambleja e Përgjithshme voton këtë çështje. Për këdo që kërkon të dijë a b c-në e të drejtës kombëtare, rezolutat e Këshillit të Sigurimit kanë një fuqi detyruese dhe kanë një fuqi erga omnes”.

Lulzim Basha: “Rrallë herë do të keni shansin të shihni një mashtrues, të pacipë dhe të paaftë nën petkun e Ministrit të Jashtëm. Të paktën për ata pak studentë të Drejtës Ndërkombëtare që na ndjekin, mos këput broçkulla këtu. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese dhe nuk janë erga omnes. Të tilla janë rezolutat e Këshillit të Sigurimit, prandaj mos këput mufka këtu. Kjo është rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme dhe jo e Këshillit të Sigurimit. Turp! Duhej të kishe ngelur që në vit të parë!”

Debati në fund mori tone politike. Reforma në Drejtësi është arena e të dy palëve. Me mazhorancën, që akuzon opozitën për bllokim dhe prishje imazhi dhe opozitën që politikën e brendshme dhe atë të jashtme të vendit e akuzon si të ndikueshme nga aftësia që kreu i ekzekutivit tonë ka për t’u shantazhuar.

Ditmir Bushati: “O proamerikanët e lindjes së mesme,po pse e zvarrisni Reformën në Drejtësi? Po i bëni një shërbim shumë të keq imazhit të vendit, duke stisur këtu tema debate që në fakt nuk janë tema debati”.

Lulzim Basha: “Me mëdyshje e pranova propozimin e grupit parlamentar për të debatuar mbi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj aleatit tonë strategjit, Shtetet e BAshkuara të Amerikës. Sepse e di që ne fund të këtij debate nuk do të ketë në votë ndërgjegje, nuk ka një votë bazuar në interesin kombëtar. Me kë matet ky? Me hyrjen ne NATO? Ky bredh nëpër botë me paratë e shqiptarëve të shajë opozitën dhe të mbrojë fytyrën tënde të zezë, të mbrojë Saimir Tahirin dhe të mbrojë narkotrafikantën. Shqipëria prej 5 vitesh ka një njeri që shantazhohet lehtësisht sipas dosjeve që tunden para syvve”.

Rezoluta e propozuar nga demokratët i kërkon Kuvendit të Shqipërisë rishikimin e votës për rezolutën për statusin e jeruzalemit dhe në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë qëndrim jo miratues ndaj kësaj Rezolute./abcnews.al