Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, iu bëri thirrje të tijve të kenë kujdes para ndeshjes së nesër në Ligën e Kampionëve kundër Atletico Madrid. Strategu i ‘Reds’ vlerësoi dhe Diego Simeonen, duke e quajtur një ndër trajnerët më të mirë në botë.
“Ata nuk kanë luajtur aq keq sa njerëzit mendojnë. Unë e di se ata janë detyruar të bëjnë ndryshime dhe janë në një periudhë tranzicioni. Kjo kërkon kohë dhe njerëzit nuk ju japin kohë. Ata humbën Griezmann, Juanfran, Gabi…
Duhet të rindërtojnë ekipin dhe ata e kanë bërë atë. Kam parë pesë nga ndeshjet e tyre këtë sezon, 90 minutat e plota dhe nuk ka të bëjë me lojën tërheqëse, ka të bëjë me atë që funksionon dhe çfarë është e suksesshme.
Ata janë një makinë e vërtetë dhe nëse nuk je i përqendruar, atëherë Atletico të godet. Unë jam gjerman dhe admiroj gjëra të tilla. Por ne jemi gjithashtu të organizuar dhe jemi këtu për të provuar të fitojmë takimin.
Unë nuk e njoh Simeonen sa duhet për të thënë se sa të ngjashëm apo sa të ndryshëm jemi. Ai ishte një lojtar i madh dhe unë nuk isha lojtar i klasit botëror. Më pëlqen organizimi i mirë që ai i ka bërë ekipit të tij. Simeone ka tetë vite tek Atletico, kjo është një kohë me të vërtetë e gjatë. Njerëzit thonë se unë jam emocional, por unë ndoshta jam në notën 4, ndërsa Diego është një nivel 12. Ne kemi shkëmbyer mesazhe dhe nesër do të takohemi për herë të parë. Do të jetë interesante”, përfundoi Klopp./abcnews.al