Ka shkuar në tre numri i të arrestuarve në vijim të operacionit të koduar “Trajektorja” në Elbasan. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se është vënë në pranga një 26-vjeçar.
Është arrestuar F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga Astrit Thaçi, të cilët i kishte vjedhur.
Ndërkohë, dje u arrestua një 20-vjeçare, e akuzuar si bashkëpunëtore në vjedhjet që kryente Astrit Thaçi. Ky i fundit i cili njihet si “skifteri” i Durrësit është autor i disa vjedhjeve në këtë qyet dhe në Elbasan.
Grabitja më e fundit e kryer nga Astit Thaçi është në një argjendari shumë pranë Drejtorisë së Policisë në Elbasan. Pak orë pas kësaj grabitje, Thaçi ra në prangat e policisë.
Njoftimi i plotë nga policia:
Vihet në pranga një 26-vjeçar që kishte përfituar disa nga sendet e vjedhura nga autori.
Në vijim të operacionit “Trajektorja” nga DVP Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe ndalimi i autorit të një sërë vjedhjesh dhe tentativash për vjedhje me dhunë e armë, si dhe prangosja e bashkëpunëtores së tij në këto vjedhje, ka vijuar puna për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan shtetasin: F. S., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka blerë 4 byzylykë floriri nga shtetasi A. Th., të cilët i kishte vjedhur.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
/abcnews.al