Policia ka vënë në pranga grabitësin Durrsak që ishte kthyer në makthin e qytetarëtve të Durrësit, Tiranës, së fundmi edhe të Elbasanit.
Uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e 27-vjeçarit, Astrit Thaçi, në një lokal në zonën e Kombinatit në Tiranë, i cili vjedhjen e fundit e kreu në një argjendari në Elbasan. Sipas policisë, 27-vjeçari brenda muajit shkurt kishte kryer disa vjedhje të tjera në Tiranë dhe Durrës. Policia bën të ditur se në kërcënimin e armës, Astrit Thaçi kishte kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe Elbasan. Policia ka dokumentuar me prova shkencore 8 raste të grabitjeve të kryera prej tij, nga të cilat 3 janë kryer në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Në datën 8 shkurt në lagjen 12 në Durrës, Thaçi ka vjedhur me armë zjarri filialin e një banke të nivelit të dytë, ku mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh. Dy ditë më pas, më 10 shkurt, në lagjen 13 në zonën e Plazhit në Durrës, nën kërcënimin e pistoletës, 27-vjeçari tentoi të vjedhë një banesë, duke e plagosur në këmbë pronarin e saj Rexhep Tereziu.
Më 11 shkurt, në lagjen nr. 14, Shkozet, nën kërcënimin e armës 27 vjeçari ka vjedhur në një Big Market nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.
Një ditë më pas, më 12 shkurt, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, Astrit Thaçi ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike dhe po në të njëjtën ditë në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
Sërish në Tiranë, më 13 shkurt, nën kërcënimin e armës i riu nga Durrësi ka tentuar të vjedhë përsëri në një Big Market në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, ndërsa më 15 shkurt, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.
Grabitja e tij e fundit para arrestimit ishte në Elbasan, ku nën kërcënimin e pistoletës ai ka vjedhur në një argjendari një sasi bizhuterish.
Në momentin e arrestimit, 27 vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.
Ndërsa polica e Durrësit ka vënë në pranga një 20 vjeçare që dyshohet se ka ndihmuar Astrit Thaçin ti shpëtonte arrestimit nga policia pasi kryente grabitjet. 20 vjeçarja akuzohet për vepren penale “përkrahje e autorit të krimit”.
Astrit Thaçi akuzohet për veprat penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”. Materialet procedurale ndaj tij do t’i referohen tre Prokurorive në Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
27 vjeçari rezulton të jetë person me precedent penal edhe në Itali, ku është dënuar më parë me 7 vite për vjedhje me armë. Për policinë ai ishte një person i njohur edhe në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Durrës/informacion
Finalizohet operacioni policor “Trajektorja”.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Drejtoria e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.
Vihet në pranga 27-vjeçari, autor i një sërë vjedhjesh e tentativash për vjedhje me dhunë e armë.
27-vjeçari, me precedent penal, i dënuar më parë 7 vite në Itali, për vjedhje me armë.
Dokumentohen me prova shkencore 8 raste, nga këto 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit, bizhuteritë e vjedhura e sende të tjera.
Prej disa ditësh në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe së fundi në Elbasan, një person, në kërcënimin e armës, kishte kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, menjëherë pas ndodhjes së rastit të parë, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve proaktive të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, mbrëmjen e datës 15 shkurt, Policia e Durrësit bëri të mundur lokalizmin e vendndodhjes së autorit të dyshuar të këtyre ngjarjeve.
Mbi bazën e provave të grumbulluara Drejtoria Vendore e Policisë Durrës organizoi punën dhe në kuadër të operacionit “Trajektorja”, në bashkëpunim dhe në koordimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale bëri të mundur kapjen, në një lokal në zonën e kombinatit Tiranë, të shtetasit:
A. Th., 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 13 Durres, i dënuar më parë me 7 vite burg në Itali, për vjedhje me armë, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.
Si rezultat i një pune intensive të mirëorganizuar dhe me prova shkencore u arrit që të dokumentohej veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, konkretisht:
Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.
-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë.
-Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.
Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.
-Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
-Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.
-Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.
Në Elbasan, më datë 15.02.2020, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.
Ne momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:
-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Tiranë dhe Elbasan, për veprën penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”./abcnews.al