Ballkani dhe Prishtina e kanë nisur me fitore të thella pjesën e dytë të sezonit të IPKO Superligës së Kosovës. Kryesuesit mposhtën 3-0 në Suharekë skuadrën e Drenicës. Jetmir Topalli zhbllokoi ndeshjen në minutën e 18-të, ndërsa Arbër Hoxha dyfishoi shifrat me një gjuajtje të bukur pas gjysmë ore lojë.
Në minutën e fundit erdhi dhe goli i tretë për djemtë e Munishit. Liridon Fetahaj vulosi fitoren me “tris” dhe Ballkani ngjitet në kuotën e 37 pikëve pas kësaj fitore. Prishtina i shënoi sërish 4 gola Vushtrrisë, por në ndryshim nga ndeshja e Digitalb Kupës nuk pësoi gol.
Endrit Krasniqi dhe Otto John shënuan dy gola të shpejtë brenda 10 minutave të para. Miqtë ishin të pafuqishëm për të reaguar dhe kryeqytetasit shënuan dy herë të tjera në pjesën e dytë me autor kongolezin Mankenda dhe Meriton Korenicën. Suksesi e ngjit Prishtinën përkohësisht në vend të dytë me 34 pikë, në pritje të derbit të nesërm midis Dritës dhe Gjilanit.
Ferizaj ndali Feronikelin dhe siguroi një pikë të rëndësishme për objektivin mbijetesë. Kenan Orana shënoi për vendasit në pjesën e parë, ndërsa liberiani Andrews evitoi humbjen e kampionëve në fuqi me golin e shënuar 15 minuta përpara fundit të ndeshjes. Ferizaj renditet e treta nga fundi me 19 pikë, ndërsa skuadra nga Drenasi mban vendin e pestë me vetëm 28 pikë. /abcnews.al