Presidenti amerikan Donald Trump kërkon zhvillimin e një parade madhështore ushtarake në Uashington. Ky vendim është kritikuar nga demokratët, të cilët e krahasojnë atë si diktator.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të organizojë një paradë madhështore ushtarake në Uashington. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ia kërkoi këtë zyrtarëve të lartë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në javën e fundit të janarit, pasi siç raportohet ishte mahnitur nga parade e “Ditës së Bastijës” në Francë vitin e kaluar.
Shfaqjet militare në Uashington, zakonisht janë përdorur për të celebruar fitore në fund të ndonjë lufte. Për këtë ka ardhur edhe një reagim nga opozita e Trump. Demokratët e krahasojnë planin për shfaqjen e fuqisë ushtarake me ato që organizohen nga vende autokratike. “Çfarë shpenzimi i kotë! Trump vepron më shumë si diktator se sa si president. Amerikanët meritojnë më shumë”, ka shkruar në tuiter politikani demokrat Jim McGovern. Ndërsa një kongresmen tjetër nënvizoi se kërkesa e Trump është ofenduese pasi nuk është në stilin e SHBA-së që të ndërmarrë organizime të tilla.
Plani fillimisht është zbuluar nga Uashington Post, përpara se të konfirmohej nga zëdhënsja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders. “Presidenti Trump është mbështetës i madh i anëtarëve të shërbimit madhështorë të Amerikës, të cilët rrezikojnë jetët e tyre çdo ditë për të mbajtur vendin tonë të sigurtë”, theksoi ajo. Ndërsa më tej shton: “Ai i kërkoi Departamentit të Mbrojtjes të organizojë një event, në të cilin të gjithë amerikanët mund të tregojnë vlerësimin e tyre”.
Sipas mediave amerikane, Pentagoni tashmë është vënë në punë dhe po diskuton për detajet e paradës ushtarake. Megjithatë një datë e sakte se kur do të zhvillohet nuk dihet ende. Uashington Potst nënvizon se për këtë event po diskutohet për 3 data të ndryshme që janë: 28maji, dita ku përkujtohen të rënët në gjithë luftrat; 4 korriku, Dita e Pavarësisë që është festa kombëtare më e rëndësishme; dhe 11 nëntori, Dita e Veteranëve./abcnews.al