Kukësi fitoi 3-0 ndeshjen e dytë kundër Lushnjes dhe u kualifikua në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë me rezultatin e përgjithshëm 7-0. Godberg Cooper realizoi dy herë në debutim, diçka që e ka lumturuar shumë. Sulmuesi me origjinë nga Gana erdhi në merkaton e janarit në ekipin e Shpëtim Duros dhe pas përballjes me lagunarët flet për ekipin e ri, trajnerin dhe dy golat e shënuar.
“Nuk mund të kërkoja debutim më të mirë. U ndjeva super me skuadrën këtë javë dhe jam stërvitur duke ndjekur këshillat e trajnerit. Duhet pak kohë të ambientohem, por jam në rrugën e duhur. Jam i lumtur për golat, fitoren dhe kualifikimin. Kupa është gjithmonë me rëndësi për moralin e skuadrës.
Falënderoj shokët që më dhanë mundësinë të shënoja dhe trajnerin për besimin për të luajtur. Jam i nderuar që kam një trajner të këtij kalibri. Duro është një person karizmatik, i rëndësishëm dhe di çfarë do. Golat ia dedikoj familjes dhe dyshes Flori-Alesandro. Falë tyre përfundova në këtë skuadër historike. Po punojmë për të realizuar objektivin titull. Do të shkojmë në Ballsh për të marrë fitoren“, përfundon 22-vjeçari. /abcnews.al