Trajneri i Laçit, Armando Cungu, nuk e fshehu zhgënjimin pas eliminimit të skuadrës së tij nga Kupa e Shqipërisë, përballë Bylisit. Pas ndeshjes të mbyllur 2-2, tekniku shkodran foli për Supersport, aty ku u shpreh:
ELIMINIMI – “I hidhur është, sepse vinim pas një rezultati jo të mirë në Ballsh, por kishim dëshirë për të përmbysur gjithçka. Bëmë shumë mirë që në fillim dhe arritëm të shënojmë, por duhet të kishim shënuar edhe 2-3 gola të tjerë në pjesën e parë. Reaguam mirë në pjesën e dytë, por në mënyrë të çuditshme gabuam në momentin e penalltisë, të cilën ia dhuruam kundërshtarit. Është një problem për ne, pasi u kemi dhuruar shpesh ndeshjen kundërshtarëve”.
SKUADRA – “Ne mund të kishim pësuar edhe në fillim, por futbolli është i çuditshëm, pasi morëm gol në momentin më të mirë tonin. Kishim mundësi të mbyllnim ndeshjen që në pjesën e parë, por nuk e bëmë dhe më pas erdhi ajo penallti që nuk dua ta komentoj”.
PLANET – “Dihet që objektivi ynë është një vend në Kupat e Europës dhe njëra nga rrugët për t’ia dalë ishte Kupa, por tani nuk është më . Në fundjavë kemi ndeshje shumë të rëndësishme me Partizanin dhe duhet të jemi të përqendruar për të ecur sa më mirë në kampionat tashmë”./abcnews.al