Ardi Veliu kalon vettingun me sukses

schedule09:48 - 7 Shkurt, 2020

schedule 09:48 - 7 Shkurt, 2020

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu kaloi me sukses vettingun, duke u konfirmuar në detyrë. Vendimi u shpall paraditen e sotme nga Komisioni i Jashtëm i Vettingut, i cili hetoi drejtorin e policisë për pasurinë, aftësinë profesionale dhe pastërtinë e figurës.

Sa i takon pasurisë, kryepolici rezulton se ka porositur një apartament në Tiranë, në vitin 2017, me vlerë 79 mijë euro. Apartamenti është në ndërtim, ndërsa për blerjen e tij ai ka marrë 5 milionë lekë kredi, të cilën vijon ta shlyejë. Ndërkohë, aktualisht kryepolici Veliu jeton me qira dhe nuk rezulton të ketë pasuri të tjera të paluajtshme.

Ai ka një llogari bankare me 750 mijë lekë nga të ardhurat, ka llogari page 190 mijë lekë, si dhe 5 mijë euro të përfituara nga shitja e një makine. Ndërsa, tashmë ai nuk ka makinë në pronësi të tij.

Sa i përket të ardhurave të bashkëshortes së Veliut, ajo ka 800 mijë lekë nga paga dhe një depozitë 2 milionë e 400 mijë lekë të dhuruara nga prindërit pas shitjes së një apartamenti në Vlorë.

Në këtë mënyrë, KJV ka arritur në përfundimin se Ardi Veliu ka deklaruar saktë pasurinë, ka burime të ligjshme dhe nuk ka konflikt interesash.

Ndërkohë, sa i përket kontrollit të figurës, DSIK ka konfirmuar se Veliu ka certifikatë sigurie tepër sekret deri në vitin 2022 dhe nuk rezulton të ketë asnjë informacion implikues ndaj tij./abcnews.al