Situata te Barcelona nuk është e qetë dhe në ekip mbizotëron një klimë aspak pozitive. Debatet mes Leo Messit dhe Eric Abidal kanë ndikuar negativisht. Drejtori sportiv i klubit katalanas u shpreh se disa lojtarë nuk kanë dhënë maksimumin në epokën e Valverdes dhe dëshiron shkarkimin e trajnerit.
Kapiteni reagoi pas këtyre fjalëve dhe i kërkoi francezit të fliste me emra konkretë dhe të përqendrohej te puna e tij. Kaq ka mjaftuar që të rinisin zërat e një largimi të Messit nga Camp Nou. Dy janë opsionet për të ardhmen e “pleshtit”: Manchester City ose Juventus. Gazetta Dello Sport dhe The Sun raportojnë se kampionët e Italisë janë gati t’i plotësojnë çdo dëshirë yllit argjentinas.
Nëse ky transferim do të realizohej verën e ardhshme, Messi dhe Cristiano Ronaldo do të luanin për herë të parë në të njëjtin ekip, diçka e paimagjinueshme deri pak kohë më parë dhe një ëndërr për tifozët e “Zonjës së Vjetër”. /abcnews.al