Nga laboratorët e Harvardit në auditorët e Cambridge-it, rrugëtimi i tij akademik po merr një tjetër dimension. Është Emin Gashi, i riu me rrënjë shqiptare, i cili po ndërton një karrierë shkencore me një mision të qartë: të kontribuojë në luftën kundër kancerit.
I lindur dhe i rritur në Gjermani, Emini është pranuar në programin Master të Shkencave Mjekësore në Universitetin e Cambridge-it, ku do të thellojë kërkimet në fushën e onkologjisë. Ky kapitull i ri vjen pas një përvoje pesëmujore si student vizitor në Harvard Medical School, ku u angazhua në projekte kërkimore të lidhura me kancerin.
Gjatë qëndrimit në Harvard, ai punoi në identifikimin e një proteine që mund të ndihmojë në zbulimin e medikamenteve më efektive dhe në zhvillimin e mundësive të reja terapeutike. Një përvojë që jo vetëm zgjeroi njohuritë e tij shkencore, por edhe përforcoi bindjen se kërkimi mund të sjellë ndryshime konkrete në mjekësi.
Arritjet e tij janë vlerësuar edhe me titullin “Talent i Vitit 2026”, ndërsa dy bursa të fituara nga shteti përbëjnë një tjetër mbështetje të rëndësishme për formimin e tij akademik.
Pas këtij suksesi ndërkombëtar qëndron edhe një histori familjare e rrënjosur te dashuria për dijen. Emini vjen nga një familje e arsimuar, ku gjyshi, mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, i ka përcjellë vlerat e arsimit dhe kulturës.
Ai veçon veçanërisht mbështetjen e të atit, të cilën e konsideron një forcë të rëndësishme në çdo hap të rrugëtimit të tij. Sot, mes dy prej institucioneve më të njohura akademike në botë, Emini nuk sheh vetëm një sukses personal, por një mundësi për të kontribuar në një fushë që prek jetën e miliona njerëzve. Sepse ambicia e tij shkon përtej diplomave prestigjioze: të bëhet pjesë e zbulimeve shkencore që një ditë mund të ndryshojnë mënyrën se si trajtohet kanceri./abcnews.al


