Showbizz-i i botës indiane e shndërroi në telenovelën e lajmeve rozë para dy vitesh, historinë e dashurisë së aktorit më të pëlqyer të momentit, Ashish Kapoor, dhe modeles nga Shkodra, Ilda Kroni.
Ata konsideroheshin çifti i momentit, duke pushtuar kopertinat e revistave me fotot e tyre romantike, edhe pse kishin vetëm 8 muaj bashkë.
Tashmë kjo lidhje showbizz-i ka përfunduar, pasi aktori indian Ashish Kapoor është ndarë nga modelja shqiptare, Ilda Kroni. Ashish Kapoor u bë i njohur në Shqipëri nga roli i Kabirit në serialin “Sarasvatiçandra”. Ai dhe Ilda prej kohësh nuk janë më bashkë, nuk kanë postuar më foto me njëri-tjetrin dhe madje, Ashish nuk e ndjek më Ildën në “Instagram”.
Pas lajmeve që raportonin ndarjen e tyre, Ashish me një postim në “Instagram” ka vendosur të tregojë arsyen pse ata nuk janë më bashkë.
“Mund të jesh me dikë çdo ditë dhe prapë të mos e dish kush është ajo në të vërtetë, derisa vendosesh në një situatë ku duhet të marrësh vendime të vështira. Koha nuk e cakton vendin që ke në jetën e dikujt, rrethanat po”, shkruhet në postimin e aktorit.
Flitet se çifti janë konfliktuar për shkak të mosmarrëveshjeve dhe xhelozisë. Pas vitesh jetese dhe karriere në Greqi, Ilda ka qenë pjesëmarrëse e garave të bukurisë apo modës në Shqipëri.
Më pas u vendos në Indi, ku dhe arriti të njihej nga afër me njerëz të famshëm dhe pasanikë në botën e Bollywood-it. “E vërteta është që më ka ndodhur të njoh disa njerez nga puna që bëj. Kam pasur disa bashkëpunime me të famshmit indianë, por më shumë pas lidhjes me aktorin Ashish Kapoor, i kam njohur shumë nga afër. Mund të them që janë shumë ndryshe nga si i njohim nga ekrani dhe me disa prej tyre kam kontakte”.


