Tirana po bën një ecuri shumë të mirë në kampionat. Bardheblutë kanë fituar gjashtë ndeshjet e fundit në Superiore dhe tanimë renditen në vendin e dytë me një pikë më pak se Kukësi kryesues. Synimi është titulli kampion dhe është një objektiv i arritshëm. Gjithsesi në kampin bardheblu mundohen të qëndrojnë me këmbë në tokë, pasi deri në fund të kampionatit ka edhe shumë ndeshje.
Te Tirana edhe në janar u treguan të kujdesshëm me merkaton, duke mos e mbingarkuar më shumë organikën. Afrimi i një qendërmbrojtësi ka qenë tematika kryesore, për të cilën u diskutua edhe në emisionin Pressing në ABC News. I ftuar ishte drejtori sportiv Arbi Laçi, i cili u pyet për largimin e mbrojtësit Jurgen Goxha, i cili po shkëlqen te Bylisi këtë sezon. Laçi theksoi se ata e kishin afruar vetë një vit më parë Goxhën, ndërsa në verë nuk e largoi Tirana.
Ndër të tjera zbulon se i ofruan edhe një marrëveshje për të zgjatur bashkëpunimin, por mbrojtësi deshironte të largohej për të pasur më shumë hapësira. Laçi, në fjalën e tij la të hapur një rikthim të Goxhës te Tirana në të ardhmen. Mbrojtësi është tifoz i bardhebluve dhe sigurisht që nuk do ta refuzonte një propozim të 24 herë kampionëve të vendit, sigurisht tashmë me një tjetër status si lojtar. /abcnews.al