Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka kërkuar informacion ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu për situatën në vend dhe masat e marra për koronavirusin e ri me origjinë nga Kina.
Balla: A ka zyrtarisht raste të verifikuara për të qetësuar opinionin publik?
Manastirliu: Deri me sot, në Shqipëri nuk ka asnjë rast të prekur nga ky virus.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se janë shtuar masat në strukturat shëndetësore dhe në pikat kufitare. Manastirliu u ndal dhe tek shqiptarja që studion në Ëohan të Kinës.
Manastirliu: Për qytetarët shqiptarë në Kinë, ka patur një komunikim të vazhdueshëm për transportin e tyre dhe janë marrë masat duke u ndjekur nga strukturat tona. Studentja shqiptare nga Ëohan-i e cila është transportuar dhe aktualisht është në Ankara, është ndjekur ngushtë nga dy ministritë e linjës, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të gjithë procedurat standard që ndiqen në këto raste.
Ndërsa Balla u shpreh se ky rast duhet të trajtohet me shumë seriozitet.
Balla: Të trajtohet me po aq seriozitet për çdo rast tjetër të çdo shqiptari që mund të rrezikohet nga situata e emergjencës globale.
Pas shpalljes së emergjencë ndërkombëtare nga Organizata Botërore e Shëndetësisë Task- Forca e përbërë nga 24 ekspertë të institucioneve shëndetësore rivlerëson çdo ditë masat e marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit./abcnews.al